Ministrja e Financave Anila Denaj ka sqaruar se si do të merren kreditë nga biznesi nëpërmjet fondit të garancisë të vendosur nga shteti. E ftuar në emisionin “Java” në TVSH, Denaj tha se ato biznese punonjësit e të cilëve kanë marrë pagën e luftës, nuk do të mund të marrin hua të tilla.
Denaj: Kemi rakorduar me to shumat, meqë ditën e parë i bën efektive. Ka qenë një marrëdhënie juridike korrekte që vendoset në bazë të kontratës. Si do të prezantohet paketa e garancisë bankare nga bankat? Aty nuk do të jenë biznese që morën pagën e luftës. Në vendimin e qeverisë e kemi thënë. Ky nuk është një grand, është një hua. Kemi përjashtuar të gjithë fashën e bizneseve që morën pagën e luftës. Ne jemi duke menduar edhe skema të tjera garancie në të ardhmen. Kjo paketë pati në thelb mbështetjen e fondit për pagat e ulëta. Biznesi nuk do të vërë asnjë kolateral dhe procedura të ndërlikuara. Disa biznese mund të kenë 20 punonjës me pagë të lartë dhe 100 me paga më të ulëta. Ne kemi mbështetur ata me pagën më të ulët. Besoj se garancia do të funksionojë. Në 30 ditëshin e parë është që biznesi bën aplikimin. Qeveria u ka lënë 60 ditë afat bankave të dizbursojnë. Në qoftë se shumën limit nuk e kanë përdorur, ne ndërhyjmë që kjo shumë që nuk është përdorur nga banka X t’ia japë bankës tjetër në mënyrë që biznesi të përfitojë.