Nga Mero Baze
Opozita ka dy arsye të mëdha për të mos ju përgjigjur kërkesës së Edi Ramës për bashkëpunim lidhur me rrugëzgjidhjet, pas krizës së epidemisë.
Arsyeja e pare, është se nuk ka ndonjë plan.
Arsyeja e dytë, edhe më e madhe, është se ka qëllim të mos ketë plan as Qeveria.
Ndaj kjo kërkesa formale e Edi Ramës që ata të ulen në tryezë me Qeverinë për të diskutuar rrugëzgjidhjet, vlen vetëm për t’u mbajtur shënim si vullnet i mirë për bashkëpunim.
Përfytyroni një moment, sikur të quajmë plan veprimi qëndrimet e opozitës qysh nga fillimi.
Fillimisht, sikur të dëgjoje opozitën për izolimin.
Qëndrimi i parë i saj ishte: Mbyllni kufijtë dhe çdo hyrje qysh në janar.
Qëndirmi i dytë në prill: Hapni kufijtë se kanë ngelur njerëzit jashtë.
Sikur të dëgjoje opozitën për karantinën.
Qëndrimi i parë: Shqipëria duhet të futet urgjent në karantinë në shkurt.
Qëndrimi i dytë: Edi Rama po çmend shqiptarët me masa fallco izolimi.
Sikur të dëgjonte Shqipëria opozitën, siç e dëgjoi Shkodra.
Qëndrimi i parë: Shkodra nuk e ul kokën para Edi Ramës dhe nuk i bindet atij.
Qëndrimi i dytë. Edi Rama ka neglizhuar masat në Shkodër dhe e ka bërë qëllimisht, të infektohet tempulli i demokratëve.
Sikur të dëgjonim opozitën, për testimet.
Qendrimi i parë: Duhen testime, testime, testime, se vetëm kështu arrijmë të kuptojmë numrin e madh të të sëmurëve. Kjo ishte në mars.
Qëndrimi i dytë i Tritanit, që i ka ngelur laboratori pa punë: Edi Rama po fsheh vdekjet për të justifikuar mos bërjen e testimeve në laboratorët privatë.
Sikur të dëgjonim opozitën për lirimin e masave.
Tritan Sheu: Po shkojmë drejt katastrofës po i liruam masat. Si nuk më morët njëherë seriozisht.
Tit Vasili. O i çmendur, liro njerëzit të dalin nga shtëpia se këto janë masa kot.
Nuk po përfshij Berishën në deklaratat e tij rreth epidemisë, pasi ai është i fokusuar vetëm tek vdekjet dhe ato për fat të keq të tij janë akoma nën 26, sa vrau ai në një ditë në Gërdec për lekët e djalit.
Tani që t’i rikthehemi thirrjes së Ramës për bashkëpunim me opozitën. Siç mund të duket qartë, opozita nuk ka ndonjë plan dhe as ka pas ndërmend të ketë.
Problemi i saj, është se kërkon që edhe Qeveria të mos ketë një plan.
Kështu si ka shkuar autoriteti i opozitës në këtë krizë, është më mirë të të sulmojë dhe të duket plani serioz, se sa ta mbështesë. Se kam frikë se po mbështeti opozita ndonjë plan, do na duket të gjithëve joserioz, pasi na kujtohen këto qëndrimet e mësipërme.