Që nga data 14 mars, fëmijët në Spanjë kanë qenë të mbyllur në shtëpi, si masë parandaluese për përhapjen e COVID-19! Për këtë arsye, nisur edhe nga fakti që autoritetet shprehen se Spanja e ka kaluar kulmin e epidemisë, kryeministri Spanjoll, Pedro Sánchez tha se nga data 27 prill po shikohet mundësia që fëmijët të kenë një ditë të veçantë që të mund të dalin vetëm ata për të marrë ajër.
Spanja ka më shumë se 20 mijë viktima dhe mbi 200 mijë të prekur, duke u bërë një nga shtetet më të prekura në Europë. Megjithatë, sipas Sánchez në javët në vijim po mendohet marrja e masave lehtësuese, duke qenë se numri i rasteve të reja nga dita në ditë po njeh një ulje. Detajet po diskutohen, tha Sánchez, por është e nevojshme që fëmijët të kenë mundësi që të dalin jashtë. Një masë të tillë lehtësuese, pra që i kushtohet një dite të veçantë për të dalë vetëm fëmijëve, e ka marrë edhe vendi i ynë.