Nga Skënder Minxhozi/
Nuk dihet nëse po të shohësh ndonjë listë shkeljesh të të drejtave të njeriut, në cilëndo epokë të njëqind viteve të fundit, kur koncepti i të drejtave të njeriut mori formën moderne që ka sot, do të mund të gjesh një shkelje më të madhe e gjithëpërfshirëse të të drejtave, sesa momenti që po jetojmë. Pa luftë, me një të rënë të lapsit, në çdo cep të botës, në shtete demokratike, regjime autoritare apo diktatura, thuajse prej një muaji është dhënë i njëjti urdhër: futini në shtëpi e mos dilni! Madje, duke e shoqëruar këtë ultimatum me një listë të gjatë rregullash (absurde për çdo milimetër të normave normale, me të cilat jemi rritur e kemi jetuar deri më sot), ligjesh represive dhe ndëshkimesh shembullore, për të gjithë ata që shkelin distancimin social. Një togëfjalësh i cili edhe ky është në vetvete një aberracion i pështirë, për cilëndo shoqëri të hapur, ku komunikimi e jo vetizolimi, janë standarti bazë i jetës.
Megjithatë ja ku erdhëm në këtë pikë. Ndodhemi të mbyllur brenda, disa miliarda njerëz, të gjithë njëkohësisht, burra, gra, fëmijë e pleq, duke larë duart e duke pritur të ikë e keqja që na ka zënë kokën me derë. Një sport planetar vetëfrustrimi, një ushtrim i skajshëm durimi për të pasur e të varfër, një laborator i stërmadh dhe unikal për psikologët e psikiatrët, një eksperiment mjekësor e social që ka përfshirë thuajse të gjithë njerëzimin, në çdo paralel e meridian të globit.
Shqiptarët janë mbyllur në shtëpitë e tyre prej pak më shumë se një muaji. Në Kosovë e vendet e tjera rrotull nesh, që të gjithë po bëjnë të njëjtën gjë: rrinë brenda, për t’i shpëtuar virusit. A është kjo një shkelje të drejtash njeriu, duke qenë një veprim i imponuar, e jo vullnetar?! Me shumë gjasë, cilado shkollë e mendimit juridik do ta trajtonte si të tillë, pra si shkelje, e jo ndryshe, nëse do ta trajtonte problemin të shkëputur nga konteksti surreal në të cilin ndodhemi.
Orët e fundit, mes kryeministrit Rama dhe një numri subjektesh të shoqërisë civile, po konsumohet një debat në distancë, në lidhje me dënimet e ashpra që qeveria përgatitet të vendosë, për shkelësit e karantinës. Janë dënime të cilat, si fillim duhet thënë, shkojnë përtej logjikës normale dhe proporcionit të fajeve të parashikuara në listë. Në këtë pikë shoqatat duket se kanë të drejtë, sepse dënimi duhet të jetë serioz, që të jetë dhe i zbatueshëm. Dhe dënim me 15 vjet burg, për daljet në rrugë në shkelje të karantinës, vështirë të gjendet një gjykatë që ta japë.
Kjo sa i takon masës së dënimit. Pasi nëse kalojmë tek fakti nëse duhet ose jo të ketë dënime për të imponuar respektimin e karantinës, mjafton të hedhim matanë Adriatikut, në Itali. Aty ku sot dënohet me pesë vjet burg cilido shtetas i rezultuar pozitiv në testet e koronavirusit, që shkel karantinën dhe del në rrugë. Të tilla dënime me gjoba e masa ndëshkimore penale gjen edhe në vende të tjera.
Kriza e koronavirusit ja ka hequr për pak kohë luksin shoqërive të zhvilluara dhe atyre që pretendojnë të aplikojnë standarte demokratike, për t’u ndalur tek nocioni i kufizimit të lirive, për sa kohë që jeta njerëzore është e mbyllur mes katër muresh dhe përballet me priopritetin e saj bazë, mbijetesën. Instikti bazik, të mbetesh gjallë, justifikon çdo akt tjetër që kryhet në funksion të tij. Një njeri në rrezik jete mund të hidhet nga kati i dhjetë, megjithëse në çdo rrethanë tjetër, ky veprim do të dukej një gjest prej të marri.
Në këtë prizëm, të pretendosh se në Shqipëri po shkelen të drejtat e njeriut në kohë pandemie, është njëlloj si të ankohesh përse njerëzit hapin çadrat kur bie shi. Kjo është një kohë krejt e paprecedent, një kohë kur rrugët e Nju Jorkut, Londrës, Parisit e Romës janë bosh prej javësh. Një kohë kur qindra milion njerëzve ju kërkohet në të gjitha gjuhët e imagjinueshme, të rrinë brenda e të mos bëjnë asgjë. Kush mban mend një kohë tjetër të ngjashme me këtë, le ta thotë. Kohë e çmendur, masa të çmendura! Duhet të sigurojmë të drejtën bazë, për të mbetur gjallë, pastaj të merakosemi se me sa standarte do ta mbushim jetën që do na mbetet në vijim…