Nga Alfred Peza/Dita e parë e hapjes së re graduale që po aplikon Shqipëria, përkoi me 24 orëshin e rekordeve më pozitive të pandemisë jo vetëm për ne, por edhe për Europën e vendet më të prekura të planetit. Bashkë me mijëra qytetarë që nxituan për të shfrytëzuar në maksimum, gradët e reja të lirisë përmes masave të distancimit social, u ndje menjëherë edhe hapja e temave të para politike, që pritet të dominojnë axhendën e post pandemisë.
Megjithëse me vetëm 10 raste të reja në ditën e parë të kësaj jave dhe numrin e të shëruarve 11% më të lartë se totali i të prekurve, ekspertët kanë bërë sërisht thirrje për kujdes. Më e keqja mund të ketë kaluar, por është ende herët për të shpallur fitoren mbi covid-19, këshillojnë ata. Gjithësesi është e qartë nga lajmet dhe temat e debatit në ekranet e mbrëmjes, se ka filluar zhvendosja e fokusit, drejt çështjeve politike.
Qeveria i ka ekspozuar herët prioritet e saj, që nuk e largojnë vëmendjen tek përballimi i efekteve social- ekonomike të pandemisë dhe rinisja me ritme gjithnjë e më të larta, të projektit të rindërtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Rikthimi gradual, sipas protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i bizneseve dhe rihapja e vendeve të punës duke patur si pritoritet ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, janë disa nga sfidat e javëve e muajve në vijim.
Në qershor pritet të dalë raporti vjetor për Shqipërinë, sëbashku me kuadrin negociues, pas vendimit të 25 marsit të Këshillit Europian për çelien e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Axhenda e integrimit dhe vijimi me një dinamikë të re i reformës në Drejtësi, për të konkluduar përgjatë këtij viti me ngritjen e të gjitha institucioneve të reja të saj, janë gjithashtu pjesë shumë e rëndësishme e axhendës së ecjes përpara të vendit dhe e punës së mazhorancës qeverisëse.
Sondazhet e realizuara përgjatë ditëve të fundit, tregojnë qartësisht se qeveria dhe shtetit shqiptar, mbështetur në punën e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe mjekëve e infermierëve që janë angazhuar në vijën e zjarrit të luftës ndaj koronavisurit, e kanë përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë sfidë historike. Shifrat krahasimore të përballimit të pandemisë, në raport me numrin e popullsisë, e pozicionojnë Shqipërinë në top listën e kontinentit.
Opozita shqiptare për fatin e keq të saj, e humbi shansin për të qenë në anën e duhur të kësaj historie, sepse duke dashur që të përfitojë politikisht nga situata, e vendosi veten kundër përpjekjeve të të gjithë shoqërisë, për ta përballuar sëbashku luftën kundër virusit vrasës. Partia Demokratike dhe një pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, dëshmuan se përpara interesave të tyre të ngushta, vendosën partinë mbi Shqipërinë.
Megjithatë “Opozita e Bashkuar” ka ende shanse dhe mundësi në javët në vijim, për të qenë pjesë e frontit të së mirës, nëse me rifillimin e axhendës politike të vendit, i rikthehen pjesëmarrjes konstruktive në tryezën e reformës së re elektorale. Përmbyllja e saj u ndërpre për shkak të axhendës së detyrueshme të pandemisë globale, duke i dhënë mundësi drejtuesve të opozitës, që të reflektojnë në përmbushje të angazhimeve të mara e të afishuara më parë.
Ilir Meta ka tërhequr ditët e fundit prozhektorët e debateve brenda opozitës, për shkak të dekretimit të disa ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga Parlamenti, për situatat pandemike. Për shkak edhe të qëndrimeve të tij nën anën e qytetarëve, shtetit, mjekëve dhe qeverisë në luftën ndaj covid-19, më shumë sesa për dekretin, ato kanë reflektuar frikën e opozitarëve, për një ndryshim të mundshëm të pozicioneve të tij të mëparshme partizane.
Në këtë atmosferë e gjeti hapja e re ndaj karantinimit, situatën politike në Shqipëri, e cila nuk është se pritet të jetë shumë e ndryshme nga ajo e përpara mbylljes. Opozita duket sikur nuk ka mësuar asgjë nga historia e vet e një viti më parë, kur bashkë me daljen nga sistemi parlamentar e demokratik i vendit, erdhi duke u dobësuar.
Për pak ditë futemi në muajin maj, duke na kujtuar se na ndan edhe fiks një vit, nga fushata për zgjedhjet e reja parlamentare të 2021. Puna e mazhorancës qeverisëse, është edhe fushata më e mirë për PS. Menaxhimi i situatave të tërmetit dhe pandemisë, ishin dy provat e saj më të forta, të kaluara me sukses!