Nga Artur Ajazi

Kryefjala e deklaratave për shtyp në ditët e fundit, e përfaqësuesve të ish-opozitës së vjetëruar, ka qenë dhe mbetet “testimi i munguar”, duke akuzuar jo Këshillin e Specialistëve të Shëndetsisë por kryeministrin Rama.

Dhe në fakt sado që zoti Rama përpiqet të sqarojë zëdhënësit e zellshëm të ish-opozitës se “nuk jam unë ai që vendos për rritjen e numrit të testimeve, por këshilli specialistëve”, duket se ata kanë vendosur ti bien kavallit në një vrimë. Duan testime, duan rritjen e testimeve, madje duan 2 mijë testime në ditë. Edhe të roitur të ishin, jo kaq.

Por ndoshta duhet parë nga një këndvështim tjetër ky “problem” i ish-opozitës, pasi thuhet se Doktori ka kërkuar me ngulm “testimin e menjëhershëm të Partisë Demokratike”. Madje Lulzimi, nisur nga mungesa e testimit, vetëm dje ka nisur të dalë personalisht në markete për të psonisur. Ai nuk kishte harruar, të vendoste edhe maskën mbrojtëse, duke mos hezituar këshillat e specialistëve. Por sërish “ngërçi” qëndron tek testimet.

Specialistët e oborrit, si Spahia, Alibeaj, Bardhi, madje edhe Ademi nga Shkodra, kanë ditë që duan me urgjencë rritjen e “testimeve”. Ata kanë akuzuar (si paraqende) kryeministrin Rama se “po ja ban me hile Shkodrës dhe demokratëve”.

Hajde merre vesh të kam rixha, kush është opozita, kush është specialisti dhe këshilluesi në atë parti, dikush kërkon testimin, dikush kërkon para për “hallexhinjtë”, dikush kërkon para për biznesin, dikush jep “leksione” për epideminë, dhe askush nuk e di çfarë duhet të zgjidhë.

Sheikët e Lulzimit, shihen shpesh të dalin nga banesat e tyre luksoze, tek japin “direktiva” se si përballohet kriza, si “dilet me sukses nga karantina”, duke na kujtuar udhëheqësin që mësonte fshatarët si bëhet rakia.

Duke u kapur fort jo vetëm pas “testimeve”, ndoshta zgjidhja më e mirë, do të ishte testimi i krejt Partisë Demokratike, duke shpresuar në mospërhapjen e ndonjë “virusi” të ri, që mund të ketë dekada që “fle” nën rrogoz tek ajo forcë e lodhur politike.

Mungesa e ideve, e mendimit, dhe vendimit për të qenë solidare me qeverinë, kryeministrin Rama dhe ekipin e specialistëve të shëndetsisë, në këto momente delikate, e kanë kthyer ish-opozitën e vjetëruar tanimë, në objekt izolimi dhe testimi.

Duke dashur të bëjnë “opozitën” edhe në ditët kur nuk i dëgjon njeri, sejmenët e Doktorit dhe Lulzimit, nuk po gjejnë derman, derisa Rama të vendosë që “testimi të nisë nga Partia Demokratike”, edhe pse specialistët e shëndetsisë mendojnë se “nuk ka tampon të testojë një parti, që s-virusin ka 30 vjet që e mban fort pas vehtes”.