E gjithë bota vijon betejën me Covid-19 ndërsa mbetet ende e paqartë se kur gjërat do të rikthehen në normalitet. Në dyshim të fortë mbetet rifillimi i jetës sportive në një kohë kur futbolli dhe shumë sektorë të tjerë përfshihen në fazën me rrezikshmëri të lartë. Dy ditë më parë, FSHF iu drejtuar me propozime konkrete Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duke i kërkuar që futbolli të rifilloj aktivitetin më 2 maj, ekipet të nisin stërvitjen, ndërsa më 20 maj, pasi të kenë përmbushur të gjithë kriteret sanitare, të rifillojë kampionati. Në pritje të një përgjigje, në këtë debat, nëse duhet apo jo të rifilloj futbolli në këto kushte, është përfshirë edhe trajneri i përfaqësues shqiptare, Edi Reja. Tekniku italian në një intervistë për “Radio Kiss Kiss Napoli”, e sheh me pesimizëm për rifillimin e sezonit:
“Në Shqipëri gjithçka është ndalur, futbolli nuk rifillon. E kanë bërë në Gjermani ku shifrat nga Covid-19 janë të vogla. Un dëshiroj që të rifilloj, sigurisht duke plotësuar të gjithë kushtet që duhen. Mendoj se në qershor, nëse epidemia do të ulet mund të rifillojmë. Për fat të keq numri i njerëzve të vdekur mbetet i lartë”, u shpreh Edi Reja duke u ndalur më pas tek Rrahmani, goditja e parë e Napolit për sezonin e ardhshëm dhe tek Marash Kumbulla, një nga lojtarët më të kërkuar në tregun e transferimeve:
“Më duhet ti bej komplimente Napolit, ka bërë një goditje të madhe me Rrahmanin, është një lojtar që e ndjek prej kohësh. Kumbulla? Do të ishte një tjetër goditje e madhe për klubin azzurr por për lojtarin janë në garë shumë klube të mëdha në Serie A. E dëshiron Milan, Inter e Juventus, do të ishte një goditje e madhe nëse Napoli arrin ta transferoj”, u shpreh Reja.