“Eshtë ajo parti politike, PD, e cila përmbysi komunizmin kur Edi Rama u largua”, ka deklaruar kështu Edmond Budina, njeriu në krye të kauzës anti-prishje të godinës së vjetër të TK-së, e vetmja deklaratë politike e tij e gjertanishme, në një replikë në distancë me ish-kolegun e tij pedagog te Artet, Edi Rama.
Eshtë e habitshme në fakt se si u gjend Edmond Budina në krye të protestave për TK-në e vjetër. Duhet kujtuar se vetëm 10 vitet e fundit ai është aktivizuar fort artistikisht në projekte kinematografike, pa ndonjë gjurmë të veçantë, ndërkohë që nga ’92-shi e tutje emri i tij erdhi duke u harruar.
Ai iku në Itali, duke mos vijuar as karrierë politike por as artistike për disa vite. Politike, pasi ka qenë ndër firmëtarët e parë të themelimit të PD-së.
Nga Artet, ai dhe Arben Imami ishin dy emrat që i përkisnin orëve të para të themelimit. I treti ishte Edi Rama, që siç është bërë e njohur, duke mos pranuar që një ish-komunist të udhëhiqte partinë e parë opozitare, pra Sali Berisha, zgjodhi të largohet nga grupi nismëtar, duke vijuar tjetër udhë të protagonizmit publik, e gjithnjë kritik me PD-në e udhëhequr nga Berisha.
Budina ka kruajtur kështu një “plagë të vjetër”, që siç duket, është në rrënjë të arsyes së pse ai ndodhet në krye të protestave, që më së shumti janë përkthim politik se sa arsye e kulluar artistike. Pra, një hesap i vjetër me Ramën.
Publikisht, ata kurrë nuk janë përplasur me njeri-tjetrin, as atëherë e as më vonë. Nuk dihet nëse jashtë syve të publikut kanë patur ndonjë fërkim, ndonjë armiqësi, me rrënjë te Godina 15 (aty ku u themelua PD), por nuk është çudi që çfarë po ndodh sot të jetë dhe një zgjatim në kohë i atij momenti të 30 viteve më parë.
Kjo nuk përbën çudi gjersa Roberti, i vëllai, është pjesë e strukturave të PD-së, ndërsa ai vetë e solli lehtësisht PD-në në teatër, duke e çuar dhe teatrin lehtësisht në PD.
Po t’i vërehet deklarata, ajo ngjan tëpke me atë të Berishës kur i duhet të kujtoje përplasjen me Ramën 30 vite më parë – .”…kur Edi Rama u largua”, thotë Budina, që pos pikëpyetjeve të shumta që e shoqërojnë protagonizmin e tij të papritur në kuazën anti-prishje, ka një nivel nën mesatar artikulimi në raport me të qënit njeri i artit.
Por a është vërtet njeri i mirë, siç e cilëson Rama? Po. Kjo është plotësisht e vërtetë. Në të përgjithshmen është vërtet njeri i mirë dhe Rama nuk bën aspak ironi kur e thotë. Edmond Budina, edhe atëherë edhe sot, gëzon vlerësimin klasik shoqëror si “njeri i mirë”, por që jo domosdoshmërisht nuk mendon gabimisht.
Rikthimi i tij te hesape e vjetra politike, jep të kuptuar se e sotmja për Teatrin ka lidhje me të djeshmen; një lloj armiqësie fluide e mbetur në kohë, nga ana e Budinës në këtë rast, gjersa i ka kujtuar Ramës ikjen nga PD.
Vetë Budina nuk bëri kurrë karrierë në PD dhe nuk dihet pse zgjodhi ta lerë Shqipërinë ndërkohë që partia e tij erdhi në pushtet. Rama e ka sqaruar pse e braktisi PD-në.