E ardhmja e Donny Van De Beek duket se është larg Ajaxit. Diçka e tillë duket se përforcon edhe me shumë deklarata e Van der Sar, drejtorit të përgjithshëm të klubit holandez, i cili është shprehur se mesfushori me shumë gjasa do t’i japë lamtumirën klubit nga Amsterdami këtë verë. Ndërkohë Van Der Sar e ka bërë të qartë se çdo klub që interesohet për Van De Beek duhet të paguajë një shumë të lartë për të siguruar shërbimet e tij.

Van Der Sar është shprehur se blerjet të cilat shkonin nga 150-200 milionë euro për shkak të krizës financiare do të mungojnë, por sipas tij Ajaxi nuk ka ndërmend që lojtarët më të mirë që ka në skuadër të lejojë largimin e tyre për shifra të ulëta. Më pas drejtori i përgjithshëm i “harkëtarëve” u shpreh se klubi kishte diskutuar me Van De Beek, portierin Andre Onana dhe mbrojtësin Nicolas Tagliafico vitin e kaluar dhe se u kishin premtuar se do t’i ndihmonin për të bërë hapin e madh në karrierën e tyre.

Van De Beek është 23 vjeç lojtarë i cili premton shumë dhe për të interes të vazhdueshëm ka shfaqur Reali i Madridit. Sidoqoftë për mesfushorin në garë do të jenë edhe Juventus së bashku me Man. United.