Aktori Laert Vasili ka deklaruar së fundmi se Teatri Kombëtar duhet të ishte shembur më herët dhe u shpreh se për këtë projekt është humbur shumë kohë. Në një intervistë për “Euro News” ai i bëri thirrje politikës që të mos përfshihet në këtë çështje.
“Kemi humbur shumë kohë, do të ishte ndërtuar gjysma e godinës së teatrit. Mirë është që klasa politike të shohë se ku ka gabuar për 30 vite dhe të mos kërkojë llogari nga njerëz që duan zhvillimin e Shqipërisë. Shumë artistë janë punësuar nga ndërhyrja politike dhe duke qenë peng janë detyruar që të zbatojnë urdhrat e shefave të politikës. Debati dhe dialogu ka dy vjet që është ezauruar. Le të shkrijnë pasurinë e tyre (politikanët) prej miliarda euro dhe le të bëjnë një teatër tjetër. Grupim njerëzish partiakë që shumë prej tyre janë me poste në parti. Janë të urdhëruar nga ata. Janë të marrë peng nga politika. Ne nuk kemi punë me politikën. Mendoj që politika duhet të qëndrojë larg nga teatri, nga nesër fillon ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar”, tha aktori.