FBI dhe Departamenti i Sigurisë së Brendshme po përgatiten të nxjerrin një paralajmërim se hakerat dhe spiunët më të aftë të Kinës po punojnë për të vjedhur hulumtimet amerikane në përpjekjen për të zhvilluar vaksina dhe trajtime për koronavirusin. Përpjekjet janë pjesë e një sulmi në internet dhe sulmeve nga kombet që kërkojnë përparësi tek gjetja e një vaksine kundër koronavirusit, shkruan New York Times.
Sipas dosjes së krijuar nga Amerikanët, hajdutët aktivë të informacionit mbi koronavirusin janë nga të paktën një dyzinë vendesh, mes të cilëve edhe ata nga Irani por gjithashtu edhe ata nga aleati historik i SHBA, ata nga Koreja e Jugut.
Para rreth dhjetë ditësh, hakerat iranianë u futën në të dhënat e Gilead, prodhuesi i ilaçit Remdesivir, i konsideruar nga shumë njerëz si një nga më efektivët në luftën kundër kronavirusit, dhe i aprovuar për përdorim nga agjensia qeveritare amerikane ‘Administrata e Ushqimit dhe Barnave’.
Zyrtarët thonë se Kina po kërkon “prona të vlefshme intelektuale dhe të dhëna të shëndetit publik përmes mjeteve të paligjshme që lidhen me vaksinat, trajtimet dhe testimet”, raporton abcnews.al
Vendimi për lëshimin e një akuze specifike kundër ekipeve shtetërore të hakerave të Kinës, thanë zyrtarë aktualë, është pjesë e një strategjie më të gjerë parandaluese që përfshin gjithashtu Komandën e Shteteve të Bashkuara dhe Agjencinë Kombëtare të Sigurisë. Nën autorizimet ligjore që Presidenti Trump lëshoi gati dy vjet më parë, ata kanë fuqinë për të hyrë thellë në rrjetet kineze dhe për të ngritur kundërsulme proporcionale.
Ky paralajmërim është gjithashtu përsëritja e fundit e një seri përpjekjesh nga administrata Trump për të fajësuar Kinën si burim i pandemisë.
Sekretari i Shtetit Mike Pompeo pohoi këtë muaj se kishte “prova të mëdha” që virusi kishte dalë nga një laborator kinez. Agjensitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara thonë se ata nuk kanë arritur në përfundimin e çështjes, por provat publike tregojnë për një lidhje midis origjinës së shpërthimit në një treg në Wuhan dhe trafikimit të paligjshëm të gjësë së gjallë në Kinë.
Ekspertët e sigurisë thonë se ndërsa ka një sulm të madh nga hakerat kinezë që kërkojnë avantazh në garën për një vaksinë kundër Covid-19, apo edhe trajtim efektiv, kinezët janë në vështirësi në gjetjen e një vaksine.
Hakerët e Koresë së Jugut kanë synuar Organizatën Botërore të Shëndetit dhe zyrtarë në Korenë e Veriut, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara. Sulmet duket se ishin përpjekje për të kompromentuar llogaritë e postës elektronike.
“Kjo është një pandemi globale, por për fat të keq vendet nuk po e trajtojnë atë si një problem global,” tha Justin Fier, një ish-analist i inteligjencës së sigurisë kombëtare që tani është drejtori i zbulimit kibernetik në Darktrace, një firmë e sigurisë në internet. “Të gjithë po kryejnë mbledhje me agjensitë e inteligjencës – për hulumtime farmaceutike, për PPE, për të parë se kush është më në avantazh”.