Nga Altin Ketro
Nën efektin e prishjes së godinës së rrënuar të Teatrit Kombëtar, nisi një valë e re akuzash ndaj kryeministrit Rama si “autori i shkatërrimit të trashëgimisë sonë kulturore”. Rezulton që ata që e akuzojnë më shumë, janë po ata që edhe kur patën diçka në dorë për të ndalur rrënimin e ndërtesave të trashëgimisë sonë kulturore, nuk bënë asgjë.
“Faji” i Ramës është se vë gishtin në plagë dhe i paraprin degradimit të asaj trashëgimie të lënë në harresë për vite me radhë.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej Pazari i Vjetër i Korçës? Sot ai Pazar ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej lagjja historike e Vlorës? Sot ajo lagje ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej fototeka “Marubi”? Sot ajo është kthyer në Muze Kombëtar të Fotografisë duke shpëtuar nga skëterra fondin e paçmuar fotografik dhe ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej fondi i ikonave të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë? Sot ai muze ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej Voskopoja? Sot ajo ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Ku ishin Berisha e Basha teksa rrënohej Qafa e Pazarit në Gjirokastër? Sot ai ka tjetër pamje falë vizionit të kryeministrit Rama.
Lista është shumë e gjatë për këto 6 vite, përfshi së fundmi edhe rehabilitimin e Muzet Kombëtar të Arsimit në Korçë. Sa është bërë gjatë këtyre dy mandateve qeverisëse të kryeministrit Rama, për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, nuk është bërë kurrë, sepse të gjithë kryeministrave paraardhës u ka munguar vizioni, vullneti i mirë dhe pasioni për t’i ruajtur e dhënë jetë këtyre trashëgimive.
Mjafton të shohësh statistikat se sa shumë janë rritur këto 6 vite guidat shoqëruese dhe destinacionet për turistët, për të kuptuar se sa shumë është bërë në këtë drejtim.
Gjithë grupi i strukturuar politik që i është kundërvënë ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, nuk ka të bëjë fare me hallin e trashëgimisë kulturore që sipas tyre kishte Teatri i vjetër.
Kryeministri Rama ka dhënë tashmë shembuj që aty ku ekziston mundësia restauruese, nuk ka gjë që e ndal ta bëjë, siç e ka bërë me ndërtesat që përmenda më lartë. Por ndërtesa e Teatrit ishte jashtë skenarit më optimist për t’i bërë derman. Fakti që gjatë 30 viteve të fundit atë ndërtesë askush prej atyre që vlerësojë trashëgiminë nuk i dha shpresë mbijetese, tregon se ajo e kishte plotësuar ciklin “jetësor”.
Kryeministri Rama deklaroi se gjatë qeverisjes së Berishës, i kishte ardhur në zyrë një grup gjerman (që më parë kishte kaluar nga Berisha), me propozimin për të investuar aty për një qendër tregtare dhe kryebashkiaku Rama e kishte refuzuar me vendosmërinë që aty do ndërtohej Teatri i ri Kombëtar. Kaq mjafton për të nxjerrë zbuluar lotët e krokodilit të opozitës së sotme.
Për analogji, ka një fakt interesant se si në vitin 2010 kryeministri Berisha shpalli botërisht nismën për të ndërtuar stadiumin e ri kombëtar në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë.
Ai stadium, jo vetëm që parashikohej që të ndërtohej pikërisht tek stadiumi “Qemal Stafa”, por nga projekti i prezantuar në formën e hartës së Shqipërisë, nuk ekzistonin gjëkundi as fasada historike e as gurët dekorativë. Për këtë ndërmarrje të Berishës nuk pati asnjë kontestim për stadiumin e ri që do ndërtohej tek një impiant historik. Nuk u dëgjua qoftë edhe një zë i vetëm nga këta bilbilejtë e sotëm që kakarisin si kaposha majë plehut.
Ishte diçka pozitive që Berisha po linte një gjurmë në këtë kryeqytet të shqiptarëve, duke i dhënë një stadium modern. Por, siç dihet, stadiumi imagjinar i Berishës mbeti “ëndërr e një nate vere” që s’u materializua kurrë. Jo s’e pati kontestime, por sepse ai s’e pati në agjendë sportin dhe impiantet sportive, aq sa kur e la pushtetin rrezikoi që edhe kombëtarja shqiptare t’i luante ndeshjet e veta jashtë shtetit për mungesë stadiumesh me standarde.
Ata që nuk kundërshtuan “stadiumin” e Berishës, befas u bënë agresivë për stadiumin e Ramës.
Ata që s’kërkuan kurrë llogari ku avulluan 6 milionë euro të teatrit imagjinar të Berishës tek “Piramida”, sot i gjurmojnë çdo qindarkë Veliajt për teatrin e ri.
Xhelozia e tyre deri në vuajtje se kjo qeveri fiton pikë në elektorat pas çdo gjëje të bukur e madhështore që ndërton, është shumë shqetësuese. Kjo sepse ata nuk e duan zhvillimin dhe lënien e gjurmëve në këtë qytet prej kësaj qeverie. Ata duan gjurmën e kioskave mbi Lanë e tek Parku Rinia gjatë Berishës së Parë dhe, gjumit në bashki gjatë Berishës së Dytë.
Inferioriteti që kanë përballë gjurmëve që ka lënë në kulturë e trashëgimi Edi Rama, i bën agresivë duke e kamufluar kundërshtinë e tyre me patriotizëm fals.
Në synimet e qeverisë “Rama” janë ndërtimi i një Bibliotekë të re Kombëtare, për t’i dhënë asaj një fytyrë të re së jashtmi e së brendshmi. Synim tjetër është ndërtimi i Teatrit të ri për Fëmijë, duke i dhënë edhe këtij komoditetin që meriton. Synim tjetër është rikonstruksioni i Teatrit ekzistues të Fëmijëve, për ta kthyer në identitet, si ndërtesë e parlamentarizmit. Synim gjithashtu është edhe rikonstruksioni i brendshëm i Muzeut Historik Kombëtar, për ta sjellë në parametra modernë. Përgatituni edhe aty për sulme guerile për t’i penguar prej të njëjtit Grup të Strukturuar Politik.
Kurse për këtë opozitë pa pikë vizioni dje, sot e në të ardhmen, që la të rrënoheshin gjithë trashëgimitë tona kulturore, le t’i bëjë pjesë të programeve të saja elektorale këto angazhime, t’ia paraqesë publikut si platformë politike, të marrë votat e nevojshme për të ardhur në pushtet e pastaj t’i vërë në jetë.
Do të ishte një fushatë ideale ku pozitë- opozitë të ballafaqonin vizionet e tyre në këtë mënyrë dhe ato vizione le të ishin referendumi më i mirë tek kutia e votimit, për t’i dhënë secilit hakun.