Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj po vijon turin e saj në kuadër të komunikimeve të drejtpërdrejta me bizneset. Denaj u ndal në një nga kompanitë që ofron shërbime në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, përfituese e Paketës së Zgjeruar 40 mijë lekë. Inovacioni është një nga sektorët, prioritet i qeverisë shqiptare me synimin për të diversifikuar jo vetëm në tregun e punës, por edhe për të tërhequr investimet e huaja.
Ministrja Denaj informoi se të gjithë individët që humbën vendin e tyre të punës për shkak të COVID-19 në katër muajt në vijim do të ofrohen kurse profesionale falas. “Ne adresuam në këto 3 muaj nevojën imediate me paga, qoftë të pagës minimale dhe bonusit 40 mijë lekësh. Ne tani jemi në një fazë të dytë, në të cilën të gjithë të papunët që kanë dalë nga sistemi dhe muajin e kaluar ishin 38 mijë të papunë, ne i kontaktojmë dhe duam ti regjistrojmë që tu ofrojmë kurse profesionale falas, sipas disa nevojave, aftësive apo sipas hobeve të tyre”, deklaroi Denaj. Elira Caushi, drejtore e AKPA u shpreh se aktualisht janë pothuajse 82 kurrikula të miratuara nga Agjencia Kombëtare e Kualifikimeve që përgatit kurrikulat që shpërndahen në të gjitha qendrat profesionale dhe në të njëjtën kohë u ofrohen punëkërkuesve sipas nevojave që kanë.
Në të njëjtën kohë, tha ajo, ne përgatisim edhe kurrikula sipas nevojave të biznesit. “Ne kemi mundësi ti ndihmojmë ata të zhvillohen, të futen brenda qendrës së formimit dhe i ndihmojmë punëkërkuesit të vijnë të marrin kurse falas”, tha Caushi. Ministrja Denaj, tha se kurset afatshkurtra të arsimit në qendrat e formimit profesional do të jenë fokusi ynë në këto katër muaj. Do të ketë një paketë shtesë përtej paketës së zgjeruar që bëmë dje, ku përfshimë në paketat mbështetëse punonjësit që u prekën në punën e tyre në situatën e krijuar prej COVID-19 deri më 17 maj. Prej kësaj mase u futën në skemën e mbështetjes së qeverisë me një bonus prej 40 mijë lekësh edhe 32 mijë punonjës të tjerë”, tha Denaj. Ajo theksoi se brenda javës së qershorit do të kemi urdhrin e hapjes së qendrave profesionale. Aktualisht janë 110 mijë e 405 individë që kanë përfituar 40.000 lekë nga Paketa e Zgjeruar dhe 64 mijë e 964 individë që kanë përfituar Pagën e Luftës nga Paketa e Parë.