Këshilltarët shkencorë të qeverisë britanike kanë paralajmëruar se rreziku i heqjes së izolimit në Angli, ndërsa Britania fillon fundjavën e fundit para ndryshimit të rregullave, është i madh. Profesori John Edmunds, thotë se vendimi për zbutjen e masave është politik ndërsa Jeremy Farrar, thotë se sistemi i testimit dhe gjurmimit të Shërbimit kombëtar të shëndetësisë, duhet të bëhet tërësisht funksional. Nga e hëna, shkollat do të rihapen dhe deri në gjashtë persona mund të mblidhen bashkë në Angli, me vende të tjera që po ashtu po zbusin masat. Policia i ka kërkuar njerëzve të respektojnë rregullat e distancimit social gjatë fundjavës.
Sipas parashikimeve të zyrës kombëtare të statistikave, vetëm në angli ka rreth 8 mijë raste në ditë të koronavirusit dhe këto nuk përfshijnë rastet në shtëpitë e kujdesit apo spitale. Për ekspertët, nivelet e koronavirusit janë ende shumë të larta dhe do të duhej të pritej ulja e rasteve para se masat të zbuteshin. Nga e hëna, në të katër rajonet në Britani, Angli, Skoci, Uells, Irlandë e Veriut, do të ketë rregullore të reja më të zbutura. Secili prej tyre ka rregulla dhe axhendë të ndryshme, me Anglinë që është e vetmja që rihap shkollat dhe lejon tubimet e deri gjashtë personave.