Ish-trajneri i Chelsea, Antonio Conte, e ka përshkruar N’Golo Kante si “një nga lojtarët më të mirë që ka trajnuar ndonjëherë”, ndërsa theksoi aftësitë e mahnitshme të francezit në mesfushë. Kante ishte një nga nënshkrimet e para të Conte në “Stamford Bridge”, me blutë e Londrës që shpenzuan 32 milionë £ për ta joshur mesfushorin e marrë nga Leicester në verën e vitit 2016.
Fituesi i Kupës së Botës, që tashmë ka luajtur 164 ndeshje, në të gjitha garat, për Chelsea, duke shënuar 11 gola, ka në plamaresin e vet dy titujt të Premier League, një “FA Cup” dhe një “Europa League”. Conte, i cili tani është duke stërvitur Interin, ishte në gjendje ta kishte “në armë” 29-vjeçarin për dy vite, para se të zëvendësohej nga Maurizio Sarri në stolin e nxehtë, në perëndim të Londrës.
Italiani thotë se prania e Kante bëri që të dukej sikur Chelsea kishte 12 lojtarë në fushë dhe se ai luante gjithmonë me një “buzëqeshje të madhe në fytyrën e tij”. “Sipas mendimit tim, ai mund të luajë në çdo pozicion të mesfushës. Ne po flasim për një lojtar të mahnitshëm, një lojtar të nivelit të lartë, – tha Conte për “Sky Sports”. – Ai është i mahnitshëm në lojën me dhe pa top. Kur e keni N’Golo në ekipin tuaj, mund të mendoni se po luani me një lojtar më shumë se kundërshtari. Ju mund të gjeni buzëqeshje në fytyrën e tij, çdo ditë. Ai është një djalë shumë pozitiv, një nga lojtarët më të mirë që kam pasur në karrierën time si trajner”.
Trajneri aktual i Interit vazhdoi të këmbëngulë se ka vetëm kujtime të shkëlqyera nga koha e tij me Chelsea, megjithë largimin e shumëdebatuar që aty më 2018, pas një sezoni të dytë të vështirë në Angli. Conte shtoi: “Në përgjithësi, të jesh trajner i një klubi të rangut të lartë nuk është e lehtë. Sepse, kur je në një klub të tillë, kërkesat janë shumë të larta. Duhet të fitoni trofe për ta mbajtur punën tuaj. Përvoja ime te Chelsea ishte e mahnitshme. Kam kujtime të shkëlqyera në lidhje me marrëdhëniet me lojtarët, tifozët dhe klubin. Chelsea është një nga skuadrat më të mira në Angli në 10-15 vitet e fundit, ka fituar shumë trofe”.