Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që mbron parimin që Republika bazohet mbi shumicat parlamentare, ka një reagim të pritshëm të Vetëvendosjes dhe mbështetësve të saj, jo vetëm kundër Gjykatës Kushtetuese, por dhe kundër të vërtetave të cilat ata i shtrembërojnë, në funksion të propagandës. Gënjeshtra e parë e kthyer në mit prej Kurtit dhe gjithë udhëheqësve të Vetëvendosjes, është se “me këtë vendim është nëpërkëmbur vullneti politik i popullit të Kosovës”, apo se “kështu nuk ka rëndësi kush fiton” etj broçkulla propagandistike. E kundërta është e vërtetë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese respekton parimin bazë mbi të cilën ndërtohet një Republikë parlamentare, që është parimi se vendin e Qeverisë, shumica parlamentare. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i vetmi që respekton vullnetin e popullit të Kosovës dhe i jep mandatin për të qeverisur asaj partie që ka aftësinë të formojë shumicën kur nuk del vetë me mbi 50 për qind të votave.

Nuk kam parë të shkruar në Kushtetutën e Kosovës dhe në asnjë fis primitiv në botë, që Qeveria i takon atij që fiton 25 për qind, aq sa ka fituar Vetëvendosja. Qeveria i takon atij që fiton mbi 50 për qind, ose që ka aftësinë të formojë një shumicë mbi 50 për qind. Albin Kurtit ju dha ky shans dhe e shpërdoroi me arrogancë dhe ligësi, në funksion të një axhende revanshiste, për të përdorur krizën politike në Kosovë, në funksion të rritjes së mbështetjes së tij. Po aq gënjeshtër është dhe sllogani se me këtë vendim nuk ka rëndësi kush fiton zgjedhjet, pasi Qeverinë e bëjnë të tjerët. Ky vendim ka pikërisht rëndësi për t’i ngulitur në kokë të gjithëve, se Republika respekton atë që fiton zgjedhjet, dhe jo atë që ka dalë i pari i zgjedhjeve. Siç ka thënë dhe Albin Kurti më 2014, Republika nuk i ngjan një gare automobilistike që duhet t’i japim atij që del i pari, por atij që ka shumicën. Tani ka ndryshuar qëndrim se është pakicë, por kjo nuk ndryshon parimet e Republikës, ndryshon vetëm parimet e tij.

Një tjetër gënjeshtër është miti se Albin Kurti filloi të çmontojë korrupsionin në Kosovë, ndaj e rrëzuan. Për aq sa qeverisi Albin Kurti, veç sa ndërroi disa borde të kompanive publike duke hequr militantë, që po besoj se janë të korruptuar, duke i zëvendësuar me militantë të Vetëvendosjes, që nuk di pse duhet të besoj që janë të kulluar. Në më shumë se 100 ditë, përveç disa gjesteve populiste, ai nuk ndërmori asnjë iniciativë ligjore, që të besojmë se kishte ne fokus betejën kundër korrupsionit. I vetmi favor që pati, është se vetërrëzoi shpejt Qeverinë dhe nuk u turpërua si hajdut i radhës. Por këmbëngulja me të cilën po kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetutese, tregon se i ka shijuar pushteti. Një tjetër gënjeshtër është miti i rrezikshëm që po përpiqet të krijojë, duke e paraqitur veten si vik timë të një konspiracioni ndërkombëtar, udhëhequr nga SHBA. Albin Kurtin nuk e rrëzoi SHBA. Nuk i tha SHBA të prishë marrëveshjen me LDK, duke tentuar ta poshtërojë atë. Nuk e shkarkoi SHBA, Agim Veliun dhe më pas Abdullah Hotin.

SHBA ka axhendën e vet për Kosovën, që është dhe axhenda e Kosovës. Të vet-paraqitesh si vi ktimë e SHBA në Kosovë, është përpjekje e ndyrë për të përdorur mbështetjen politike kundër aleatit më të madh dhe vendimtar të Kosovës, si shtet i ri. Kjo është më shumë se çdo tradhti e përfolur ndaj Kosovës, dhe e bërë kjo në emër të një partie “patriotike”, është edhe më hipokrite. Albin Kurti u vetërrëzua se nuk donte të përballej me problemet reale të Kosovës, por do të vazhdojë të gënjejë shqiptarët në Kosovë, se ka një ëndërr të madhe për ta, por se lë SHBA dhe ca të korruptuar. Ajo ëndërr që fsheh Albini është mirë të mbetet ëndërr e keqe. Ai thjesht do ta mbajë Kosovën në krizë permanente për ta gjunjëzuar, deri sa të bëjë ëndrrën realitet që ta sundojë Kosovën. Ai është një lider që Kosova nuk i ka asnjë borxh. E bëri kryeministër dhe ai e keqpërdori besimin duke tentuar t’i poshtëronte dy tretat e votuesve të Kosovës, qe nuk e kanë votuar atë. Dhe në fund, duhet çmitizuar përpjekja për të krahasuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 2014 për rolin e partisë së parë në formimin e Qeverisë, me rastin Kurti. Vendimi i 2014 pengon konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë, nëse nuk i jepet mandati partisë së parë. Pasi konstituohet Kuvendi dhe krijohet Qeveria, ai interpretim nuk vlen më. Por dhe ai duhet rishikuar. Mbi atë parim të debatueshëm, Kosova mund të mbetet peng pas çdo palë zgjedhjesh të tekave të partisë së pare, që s’ka shumicën. Por kjo s’ka lidhje fare me rastin e Kurtit

Përpjekja e Kurtit që të shfaqet si viktimë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është hipokrizi dhe përpjekje për të delegjitimuar një institucion bazë të shtetit të Kosovës. Në fakt, Kosova po viktimizohet prej tij dhe kjo do t’i mbahet shënim, si njeriut që donte të ndryshonte Kosovën duke e sunduar atë. Ndaj në këtë pike, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mbrojtur Republikën që Albin Kurti e njeh vetëm kur është kryeministër dhe i vë flakën sa del nga zyra. Madje edhe pa dalë ende.