“Në vitin 2017 arrita kulmin më të lartë të karrierës time te Bayern Munich. Mund të bëja gjithçka që doja në fushë. Asnjëherë nuk hezitova, para se të bëja ndonjë lëvizje. Gjithçka ishte e thjeshtë”. Douglas Costa, lojtari brazilian i Juventusit, flet për periudhën e tij në Bundesligë, në një intervistë dhënë për “The Player Tribune”.

“Pastaj arrita në Torino, – vazhdon ish-lojtari i Shakhtar. – Gjashtë muajt e parë kanë qenë shumë të vështirë, sepse më është dashur të adaptohem në një futboll tjetër. Më 2018 pata shumë lëndime, askush nuk e kuptoi pse. Pastaj kuptuam se ishte një dëmtim i vjetër, që nuk u shërua kurrë plotësisht, gjë që kompromentoi performancën time në fushë. Doja të kthehesha në fushë, por menjëherë pas kësaj u lëndova përsëri.

Në vitin 2015 jam trajnuar intensivisht me një trainer personal dhe kam zbuluar se kjo mund të jetë një nga arsyet pse shpesh lëndohem. Nëse do të kthehesha mbas, nuk e di nëse do ta bëja atë gjë. është e vërtetë, më ndihmoi shumë në atë kohë, por kam disa pasoja edhe sot. Kam takuar edhe disa nutricionistë, të cilët më dhanë përgjigjet e tyre për dëmtimet. Kam mësuar shumë se sa ndikon cilësia e pushimit.

Kam investuar shumë në teknikat e rimëkëmbjes. Natyrisht që të gjithë duam rezultate të menjëhershme, por nuk funksionon kështu. Nga pikëpamja ekonomike, gjithçka ka ndryshuar shpejt për mua dhe familjen time, por në fushë ndryshon sitiuata, nuk mund t’i hedhësh hapat duke injoruan kohën. Ne jemi qenie njerëzore, nuk ka sekrete. Nuk mund ta blej formën e përsosur fizike”.

Douglas Costa flet edhe për dy shokët e tij të skuadrës, që i konsideron modelet e jetës: “Cristiano Ronaldo dhe Dybala janë modele jete për mua. Ata kanë qenë të suksesshëm për një kohë të gjatë, kanë arritur rezultate të shkëlqyera. Po mundohem të bëj të njëjtën gjë. Të dy më këshillojnë. Ka disa gjëra, për të cilat punoj me ta. Shpresoj se të stërviturit e tyre mund të funksionojnë edhe për mua. Kur karriera ime të mbarojë, dua të jem në gjendje të them se kam dhënë gjithçka kam mundur, më të mirën. Nuk dua të pajtohem me asgjë më pak. Do të jap gjithcka nga vetja. Nëse ky është fati im, atëherë e pranoj”.

Braziliani thotë se zgjodhi Juventusin për të fituar Ligën e Kampionëve: “Juve nuk ka fituar Champions-in prej 25 vitesh. Unë ëndërroj ta fitoj me këtë klub, madje kjo është arsyeja pse zgjodha Jubventusin. Kur u largova nga Bayerni kam pasur oferta të tjera në tryezë, por zgjodha Juventusin, sepse kam mundësinë të bëj histori këtu. Për t’ia arritur këtij objektivi duhet të përqendroheni çdo ditë. Nuk ka vend për vetëkënaqësi në futboll”.