Elseid Hysaj e ka humbur postin e titullarit te Napoli që me largimin e trajnerit Mauricio Sarri. As me Ançelotin dhe as me Gatuzon, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare nuk e ka fituar besimin e tyre për të qenë i përzgjedhuri për të luajtur nga minuta e parë me rregullsi. Kjo ka shtyrë disa herë që edhe vetë lojtari, por edhe menaxheri i tij të flasin për largim nga ekipi. Për më tepër, ky i fundit, Mario Xhufredi, ka deklaruar se është refuzuar oferta e Napolit për të rinovuar kontratën e cila skadon në vitin 2021.Nisur nga kjo situatë që po kalon futbollisti i Kombëtares, mediat lokale në Mançester e kanë përfshirë Elseid Hysajn në listën e futbollistëve që mund të pasojnë Zhoao Kanselon, i përfolur për një largim nga “Sitizens”. Mak Arons i Noruiç Sitit, Elseid Hysaj i Napolit, Xhoshua Kimish i Bajernit dhe Nelson Semedo i Barcelonës janë katër alternativat që “manchester evening news” ka listuar. Për këtë të fundit ka shtyrë edhe vetë Barcelona që të transferohet përfundimisht në Mançester, duke qenë se kërkon që t’i bëjë një “asist” Interit, nga të cilët kërkojnë shërbimet e Lautaro Martinezit. Pra në këtë rast, Interi rikthen portugezin Kanselo në skuadër.
“Nëse Mançester Siti do të vendosë të kryejë një merkato me shpenzime shumë të kujdesshme, atëherë kandidatura e tij është e logjikshme. Elseid Hysaj nuk po luan titullar me Napolin në Serinë A. Kjo mund të bëjë të tingëllojë e çuditshme që ai të jetë një alternativë për kampionët në fuqi të Premier Ligës. Mirëpo, Hysaj ishte i pazëvendësueshëm në këtë skuadër në kohën kur trajner ishte Mauricio Sarri. Një trajner që në filozofinë e tij të lojës, ka raportin e mirë me topin. Diçka e ngjashme me filozofinë e Guardiolës.
Jo vetëm kaq, por edhe fakti që Elseid Hysaj është 26 vjeç, pra ka arritur pjekurinë sportive, janë cilësi që e mundësojnë kandidaturën e tij te Mançester Siti. Ka një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh, por fakti që kontrata i përfundon në vitin 2021 si dhe që lojtari nuk ka pranuar rinovimin, atëherë çmimi i largimit të tij mund të jetë disafish më i ulët në raport me këtë klauzolë”, ka shkruar media lokale në Mançester për shqiptarin. Mbetet për t’u parë nëse diçka e tillë do të mund të konkretizohet dhe Hysaj të jetë vërtet një alternativë në planet e Guardiolës dhe Mançester Sitit.