Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shefat e misioneve të BE-së i bëjnë thirrje aktorëve politikë që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kjo e fundit shpalli të ligjshëm dekretin për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re. Përmes një deklarate për media, ata thanë se “i takon Kuvendit tani që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm kushtetues, në përputhje me vendimin e Gjykatës. BE-ja u bën thirrje të gjithë liderëve politikë që të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar të enjten mbrëma se dekreti i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të mandatuar Hotin për kryeministër është në përputhje me Kushtetutën dhe se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit.