Nga Artur Ajazi
Kryetari i shtetit, në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, nuk po rresht së bëri thirrje për krijimin e “një fronti të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”. Ilir Meta duke gërrmuar në rrjetet sociale edhe përtej kufinjve të Shqipërisë, na paskësh gjetur një këngë të artistëve zviceranë, kushtuar “shembjes së teatrit”.
Zot i madh, fale se ky kryetar shteti nuk di çfarë bën, çfarë kërkon, çfarë lexon dhe çfarë gërrmon. Zot fale, ky kryetar shtetit ka harruar përse gjendet në Presidencë, në godinën më simbolike të një vendi demokratik. Zot fale, një kryetar shteti që i ka shpallur luftë mediatike (me një tufë mediash që mban nën sqetull) qeverisë, Parlamentit, Policisë Shtetit, ambasadave të vendeve partnere të Shqipërisë, dhe kjo për një fakt të thjeshtë, rrëzimin e Edi Ramës, ose për ta detyruar atë të bëjë “pazarin e rradhës”.
Me një fjalë, “hall pushteti” dhe jo demokracie. Ilir Meta nuk është dhe nuk shihet më si kryetari i shtetit në detyrë, sa kohë merret me kërkime në fb, google, dhe rrjetet e tjera sociale, për të gjetur “mbështetësit dhe përkrahësit e kauzës së teatrit të shembur”. Ai dita me ditë, bën thirrje për “rrëzimin e klikës, krijimin e një fronti të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”. Presidentit në detyrë i ka kaluar me kohë “vijat e kuqe” që e ndajnë atë si kryetar shtetit nga detyrimet e tjera politike. Një kryetar shtetit që sillet si “çun lagje”, herë me Doktorin, herë me Lulzimin, e herë me Monikën, nuk ka gjasa të kryejë asnjë funksion kushtetues për të mirën e zgjidhjes së krizave, apo mosmarrëveshjeve institucionale mes forcave politike.
“Të krijojmë një front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”, bënte thirrje kryetari në detyrë i shtetit, duke na kujtuar “frontin demokratik” të Enver Hoxhës. Po kundër kujt, dhe cilin do të rrëzosh nga froni për të “rivendosur demokacinë”, kur lirinë dhe demokracinë nuk e ke vendosur qysh nga dita e parë në LSI zoti Meta ?
Kundër kujt do të ngresh një “front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”, kur fare mirë e di, se Monika nuk la këpucë, çizme, presion dhe fjalë pa thënë kundër “diktatorit” Rama, dhe asgjë nuk e gjen ? Alibira të tilla, i shërbejnë vetëm Doktorit dhe Lulzimit, por edhe ata ndoshta po ti pyesësh tek e tek, do të ishin kundër jush gjithsesi. Shqipëria zoti Meta, ka 30 vjet që është ndarë nga diktatura, ka 30 vjet që ka vendosur demokracinë funksionale, ashtu siç ka 7 vjet
që ka vendosur shtetin ligjor mbi çdo padrejtësi. Të bësh thirrje për “krijimin e frontit të pëbashkët për rivendosjen e demokracisë”, do të thotë të jetosh me ankthin dhe stresin e ndonjë ndëshkimi ligjor, që mund t’ju vijë jo nga “diktatura” por nga demokracia në veprim. Kur LSI, sulmon ambasadoren e SHBA-së, dhe bën fajtore vetëm qeverinë për mungesën e arritjes së konsensusit, kur LSI, sulmon selitë diplomatike sepse “përkrahin qeverinë dhe Edi Ramën”, nuk do të thotë se “duhet krijuar fronti i rivendosjes së demokracisë” zoti Meta.
Në politikë nuk mund të vegjetosh pafundësisht, duke pritur të mbyllësh pazarin e rradhës për pushtetin. Në politikë nuk mund të mbetesh pafundësisht “lavjerrës” i pavarur zoti Meta, kaq gjë duhet ta ketë thënë Doktori, gjatë kuvendimeve të gjata, për të “mirën” e demokracisë, partisë dhe pasurisë.