FSHF-ja dhe presidentët e klubeve shqiptare të futbollit, ato të Superiores, kanë zhvilluar sot një takim, ku kanë diskutuar për rifillimin e kampionatit. Edhe pse nuk është marrë miratimi nga qeveria dhe Komiteti Teknik i Koronavirusit, është vendosur që më 3 qershor të rifillojnë ndeshjet, aty ku u ndalën me shpërthimin e pandemisë. Mbetet të shihet sa do të plotësohet protokolli sanitar, pikat e të cilit, sipas presidentit të Partizanit, janë deri diku të parealizueshme për mundësitë e Shqipërisë dhe klubeve tona të futbollit.

Gazmend Demi tha, pas takimit me kolegët: “U diskutua dhe u mor mirëkuptimi dhe me datë 3 qershor rifillon kampionatit. Vështirë në Shqipëri të zbatohet protokolli, unë e thashë edhe në mbledhje. Megjithatë, do mundohemi t’i plotësojmë, dihen kushtet e Shqipërisë. Kosto do ketë edhe nga koha që kaloi, por edhe prej rregullores së re. Nuk fillohej më shpejt dhe është mirë tashmë data 3. Unë doja të ndërpritej kampionati. Kushtet e Shqipërisë janë të vështira, por UEFA penalizonte më pas klubet që do jenë pjesëmarrëse në Kupat e Europës. Kushtet e protokollit vështirë të realizohen”.

Edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, konfirmoi të njëjtën gjë: “Ishin diskutime për datën 31 maj dhe 7 qershor, por më pas vendosëm për një rrugë të mesme, që është data 3 qershor. U vendos të luhet kampionati dhe Kupa, me sistemin vajtje-ardhje. Të gjithë ishim dakord, po diskutohej për datën dhe vendosëm 3 qershorin. Pjesa financiare? Jo, nuk është diskutuar për të, por vetëm për rifillimin e kampionatit. Kapacitetet tona për të përmbushur protokollin sanitar? Aty ka disa pjesë, por nuk do të merremi ne presidentët me to. Do të merren stafet me atë pjesë, por do të mundohemi t’i plotësojmë kriteret. Normalisht që plotësimi i tyre do të na rëndojë financiarisht, mbetet për t’u parë se sa”.

Suat Lici, administrator i Vllaznisë, shtoi: “Besoj se ishte një takim pozitiv për të rikthyer njerëzit te sporti. Ramë dakord për kalendarin dhe marrjen e masave, na u bë i qartë protokolli që duhet zbatuar. Ne si Vllazni do t’i marrim masat dhe jemi të pajisur me kamera termike, edhe për dezinfektim. Shpresojmë t’i rikthehemi futbollit. Natyrisht, do të ngjeshet kalendari, por me konsesus ramë dakord për këtë. Lojtarët nga jashtë Shqipërisë do të jenë problem, sepse kthimi i tyre duhet të kalojë patjetër përmes karantinimit 14-ditor. Megjithatë, ne jemi në gjendje lufte, probleme do të kemi, por më e rëndësishme është që të rifillojë futbolli dhe t’i rikthehemi jetës normale”.