Kryetari i Shoqatës së Futbollistëve Profesionistë në Angli dhe Uells, Gordon Taylor, ka bërë të ditur se futbollistët nuk janë plotësisht pro planit për rinisjen e Premierligës, pasi që nuk duan të eksperimentohet me ta. Liga elitare e futbollit në Angli ka qenë e suspenduar që nga marsi, shkaku i përhapjes së madhe të virusit Covid-19 në botë. Tash e një kohë janë diskutuar shumë opsione për kthimin e mundshëm të ligës, transmeton Gazeta Express.

Të hënën, qeveria britanike e publikoi një dokument 50-faqesh që i tregonte hapat e zbutjes së masave për vetëizolim në Angli, ku Premierliga parashihej të mund të riniste pas 1 qershorit. Dokumenti u lirua një ditë pasi kryeministri Boris Johnson i bëri të qarta planet e tij për zbutjen e masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes edhe më të madhe të koronavirusit.

Qeveria britanike e ka bërë të qartë se e dëshiron kthimin e futbollit në mënyrë që të përmirësohet gjendja shpirtërore e qytetasve, që kanë qenë të vetëizoluar që nga marsi. Por, Rose, i cili është i huazuar në Newcastle nga Tottenhami, reagoi ashpër ndaj këtij lajmi dhe tha se do të ishte një çmenduri nëse vendoset të kthehet futbolli pa pasur ulje të dukshme në numrin e të infektuarve me koronavirus.

“Mua s’më intereson për gjendjen shpirtërore të popullit. Jetët e njerëzve janë në rrezik. As që duhet të flitet për kthimin e ndeshjeve të futbollit deri kur të ulet dukshëm numri i të infektuarve. Këto janë gjepura”, tha Rose. Për këtë deklaratë të Rose u pyet menjëherë kryetari i Shoqatës së Futbollistëve, Taylor, i cili e sqaroi se askush nuk dëshiron të eksperimentohet me jetën e tij.

“Lojtarët nuk duan të merren për eksperimente dhe kjo vlen për të gjithë në botën e sporteve profesioniste”, ka thënë Taylor. “E rëndësishme është që të baraspeshohet siguria dhe tentimi për t’iu kthyer normalitetit sa më shumë që të jetë e mundur”.