Pep Guardiola po joshet nga Barcelona për t’u kthyer në shtëpi. Ky është një shans i mirë që trajneri katalanas të largohet nga Manchester City në të ardhmen e afërt. Kështu pretendon ish-lojtari i “qytetarëve”, Trevor Sinclair. Në fakt, kanë nisur të qarkullojnë jo pak thashetheme të tilla, që vënë në pikëpyetje vazhdimësinë e 49-vjeçarit. Ndërsa të tjerët flasin, Guardiola është i lidhur kontraktualisht me klubin aktual deri në verën e vitit 2021. Përjashtimi i Manchester City për dy sezone nga Champions-i, me siguri që do ta ketë bërë të mendohet edhe ai, si disa yje të skuadrës.
Sinclair ka frikë se është vetëm çështje kohe, përpara se Guardiola të kthehet te rrënjët e tij, duke iu referuar premtimit të Joan Laporta, nëse rikthehet si president i Barcelonës. Ishte pikërisht ai, që e mori Pep nga trajner të të rinjve dhe e vendosi në krye të ekipit të parë, prej nga u largua me 14 trofe të fituar në katër vite.
“Ju duhet të keni atë lloj partneriteti në klub, me një person që ju pëlqen. Pep është katalanas dhe e ka vendin atje. Nëse u largua nga Barcelona, unë mendoj se zemra e tij ka mbetur gjithmonë blaugrana. Të gjitha legjendat përpiqen të kthehen në shtëpi. Unë mendoj që, nëse ka një person që mund ta kthejë Pep Guardiolën në Barcelonë, ai është Joan Laporta. Koinçidon edhe koha e të dyve, vera e vitit 2021, kur përfundon kontrata e Pep. Ai do të dëshirojë ta mbyllë eksperiencën në Angli duke fituar Ligën e Kampionëve, por mund të mos jetë në gjendje ta bëjë këtë, në varësi të asaj që ndodh me dënimin e UEFA-s.
Edhe në nivel njerëzor, ne e dimë se Pep sapo ka humbur nënën nga “Coronavirus”. Mendoj se Barcelona po e tërheq atë në shtëpi. Edhe vetë Pep ka një shans të mirë për t’u kthyer përsëri te Barcelona”.