Aplikimi për Skemat Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2020 janë hapur që prej ditës së djeshme dhe është hera e parë që aplikohet online në e-Albania me zero dokumente. Në Agropikën në Tiranë, Odise Pando, inspektor në Skemat Kombëtare, shprehet për ATSH-në, se “që në ditën e parë të çeljes së aplikimit, ka një interes të shtuar të fermerëve për t’u informuar se si ata duhet të veprojnë për të aplikuar në Skemat e Mbështetjes, për të përfituar mbështetje financiare për zgjerimin e aktivitetit të tyre”.
Stafi i Agropikës është në dispozicion të informimit sa më saktë të fermerëve, të cilët duhet të aplikojnë vetë në portalin e-Albania. Në Agropikën në Tiranë, ishte i pranishëm edhe Selion Kupi, fermer nga Petrela, që mbarështon një fermë blegtorale. Inspektori Pando i tregoi Kupit për katër hapat që duhet të ndjekë për kryerjen e aplikimit. “Fillimisht regjistrohu në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës tuaj të identitetit, zgjidh shërbimin “Aplikim për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët’’, zgjidh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni dhe kliko dërgo. Vetëm katër hapa dhe aplikimi u krye me sukses”, shpjegoi Pando.
Pas fushatës së informimit në të gjithë vendin, fermerët do të kenë mundësi të bëjnë aplikimet e tyre prej datës 29 maj deri më 19 qershor. Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2020 është 743,9 milionë lekë dhe pritet të përfitojnë rreth katër mijë fermerë në të gjithë vendin. Skema Kombëtare financon 7 masa: Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar. Masa 2: Bletaria. Masa 3: Financime për zëvendësim plastmasi termik. Masa 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike. Masa 5: Mbështetje për fermat organike. Masa 6: Certifikimi Global Gap. Masa 7: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.