Nga Artur Ajazi
Të gjithë e mbajnë mënd se si ish-kryeministri Berisha kur merrte fjalën në Parlament (kur ishte kryetar qverie) fliste mbi 45 minuta, apo edhe 75 minuta pa asnjë ndërprerje. Të gjithë e kujtojnë se si Doktorit, nuk kishte “lepur” apo dhe “luan” nga partia e tij ti thoshte “koha mbaroi” sepse e dinte çfarë e priste.
Dhe padyshim të gjithë e kujtojnë se si ish-kryeministri fuqiplotë, i merrte të “gjitha me rradhë”, emrat dhe mbiemrat e deputetëve të opozitës së asaj kohe, u bënte biografinë, u merrte erëzin, dhe askush nuk fliste, askush nuk pipëtinte, askush nuk e quante “diktator, manipulator, shtypës”, por të gjithë “luanët dhe lepujt” e tij e duartrokisnin. E një gjë të tillë, madje më të ekzaltuar e bënin edhe kur Doktori (kryeministët) shante me libër shtëpie, ndonjë deputet të ish-opozitës që kishte kurajon të denonconte me fakte shkelje ligjore, abuzime, korrupsionin, apo dhe afera të tjera. Padyshim që sot gjërat janë krejt ndryshe, padyshim që Rama kryeministër, nuk është si paraardhësi tij, pasi në krye të Kuvendit është dikush që i thotë kujdo në foltore, madje edhe shefit të qeverisë “koha mbaroi”. Padyshim Rama nuk është Berisha, pasi nuk merret me as me jetën private, as me familjen , dhe as me farefisin e deputetëve kundërshtarë, por thjesht u jep atyre përgjigjen e duhur. Padyshim që Rama sot, nuk është Berisha i djeshëm në Parlament, nuk mbjell gjuhën e urrejtjes, nuk nxit debate shterpë dhe dhunën mes deputetëve, nuk shpif dhe denoncon pa fakte kundërshtarin politik, edhe pse ka shumë për tu thënë. Padyshim kryeministri Rama sot, nuk është si Berisha kryeministër dje, edhe për shumë e shumë arsye, por më kryesorja , për frymën e përçarjes që paraardhësi i tij, mbillte në seancat e pafundme parlamentare mes deputetësh.
Sot shumica parlamentare, ka meritën e vendosjes mbi “shinat” e duhura të veprimtarisë së ligjvënësve, pasi sot Kuvendi i Shqipërisë punon mbi rregullore, deputetët flasin dhe diskutojnë bazuar mbi nenet e saj, ashtu si ministrat dhe kryeministri i vendit. Të gjithë e kujtojnë Parlamentin e 2005-2013, kur deputetët e opozitës trajtoheshin si “armiq të klasës”, kur nuk u jepej fjala, kur u ndërpritej fjala, kur fyheshin, goditeshin, dhe ndaj tyre ushtrohej dhunë verbale dhe fizike nga “trimoshat” e demokracisë. Të gjithë e kujtojnë, se si në Parlamentin e asaj kohe, 50 per qind të kohës e merrte Doktori ( dhe sejmenët) me fjalimet dhe diskutimet boshe, me biografitë që u bënte kundërshtarëve politikë, duke e kthyer shpesh sallën dhe foltoren në arenë luftimesh mes deputetëve dhe gardistëve. Të gjithë e kujtojnë edhe mikun e Doktorit, (sot kryetar shteti) se si kapërcente garroçet e luleve, dhe i turrej Jozefinës, me fjalor dhe xheste banale.
Padyshim Edi Rama sot, nuk ka se si të jetë Berisha i djeshëm, sepse nuk ka komplekse, nuk ka mllefe, nuk ka mërira me askënd, sepse e sheh dhe e vlerëson ndryshe lirinë dhe demokracinë, sepse e respekton dhe adhuron ndryshe perëndimin, sepse nuk është bukshkalë dhe hipokrit, dhe mbi të gjitha sepse është qytetar.