Ditën e djeshme në kampionatin anglez rinisën stërvitjet me grupe të plota, duke u lejuar edhe kontaktet fizike, ndërsa tashmë drejtuesit e klubeve kanë vendosur në një mbledhje të Ligës që të përcaktojnë edhe datën e rinisjes së kampionatit.
Kështu sipas mediave angleze është vendosur që gjithçka të rifillojë më datën 17 qershor me ndeshjet e prapambetura Manchester City-Arsenal dhe Aston Villa-Sheffield United, ndërsa më pas me kalendarin normal, duke nisur nga fundjava e 20 dhe 21 qershorit.
Vendimi tani pritet të marrë miratimin final edhe të Federatës Angleze, para se të bëhet zyrtar, ndërsa trajnerët, përgatitësit dhe futbollistët duhet të “vënë këmbën te gazi” për të arritur sa më shpejt formën më të mirë, duke qenë se pas vetëm 3 javësh do të duhet të zbresin në fushë për ndeshje të vërteta.
Rezultatet pozitive nga tamponët dhe eksperienca e Bundesligës duket se kanë bindur anglezët të vendosin për rikthimin në fushë, ndërsa në mbledhjen e Ligës është vendosur që kampionati të mbyllet brenda datës 2 gusht, sipas direktivave të UEFA-s.