Shqipëria ka hyrë në muajin e tretë të pandemisë COVID-19, por tashmë në një fazë të re të hapjes se aktiviteteve e bizneseve. Por çfarë vështirësish po hasin biznesit që e kanë hapur aktivitetin e tyre dhe tjera që po përgatiten ta hapin. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi tha se qeveria ende nuk e ka një pamje të plotë të dëmeve që ka shkaktuar në ekonomi pandemia COVID-19 për vetë befasinë me të cilën bota u përball në aspektin ekonomik.
Sipas tij, teksa beteja për shëndetin është menaxhuar me sukses, pjesa ekonomike është një sfidë e madhe me shumë pikëpyetje, por një gjë është e sigurt, që asgjë nuk do të jetë e lehtë, madje do jetë shumë e vështirë. Një nga ndihmat e ofruara biznesit është paketa e parë e garancisë sovrane e cila sipas Shalsit tashmë do jetë më interes 0.
“Paketa e parë e garancisë sovrane u lançua si mbështetje me garanci, por me një interes të caktuar, gjë që tashmë nuk vlen, pasi kemi marrë vendimin që paketa e parë do jepet pa interes. Kjo garanci bankare ka zgjuar interes, janë regjistruar mbi 350 aplikime në sektorin bankar”, tha z. Shalsi. Ministri mohoi të ketë munguar dialogu qeveri-biznes në këtë periudhë, madje sipas tij nuk ka qenë kurrë më parë në këto nivele, por shtoi se kjo nuk do të thotë se është i mundur plotësimi i të gjitha kërkesave të tyre.
“Ju siguroj se janë rreth 1 mijë kontakte në javë me sipërmarrësit për të kuptuar natyrën e problematikave të tyre. Prej shumë kohësh biznesi dhe qeveria nuk kanë pasur ndonjëherë këtë lloj dialogu. Nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm që nuk mund të plotësojmë dot të gjitha kërkesat e biznesit. Nuk ka qeveri në këto momente në botë që është në gjendje t’i kënaqë të gjitha kërkesat e biznesit. Kemi kalkuluar mirë të ardhurat, buxhetin dhe brenda kësaj mase kemi përcaktuar se ku mund t’i shpërndajmë më mirë të ardhurat. Por debati vijon edhe brenda nesh”, tha ai.
Z. Shalsi solli si shembull sektorin e turizmit, një nga më të prekurit nga kriza nga COVID-19, ku përveç pagës së luftës për 10 mijë punonjës tha se po shihet se çfarë mund të bëhet tjetër për t’i ndihmuar. Ministri i shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes konfirmoi për Euronews Albania se do të ketë një fazë të tretë ndihme nga qeveria, të cilën nuk preferoi ta quante paketë, që do t’i vijë në ndihmë sektorëve më të prekur nga kriza.