Bashkia e Pogradecit është ndër të vetmet bashki e cila i erdhi në ndihmë të vetëkarantinuarve në hotele në këtë qytet që erdhën përtej kufirit. Në një intervistë për tirananews.al kryebashkiaku Ilir Xhakolli thotë se u ndihmuan me ushqim 70 qytetarë të karantinuar në dy hotele duke treguar se pogradecart kanë vlerat dhe dhembshurinë në çdo lloj situate.
Kryebashkiaku Xhakolli flet dhe për masat e mara tashmë që Pogradeci është në zonat e gjelbra dhe lehtësira për bizneset e zonës nga taksat vendore. Si një qytet turistik në çdo stinë, bashkia po përgatitet dhe për sezonin turistik të verës dhe investimet që nuk janë lënë pas dore.
Koronavirusi “ka mbërritur” në qarkun e Korçës me 19 të infektuar prej të cilëve 18 janë shëruar sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë. A ka në Pogradec të infektuar? A po tregohen bashkëpunues qytetarët në respektimin e masave të vendosura?
Po është e vërtetë Qarku i Korcës ka shënuar 19 raste me COVID- 19, por 18 prej tyre janë shëruar tashmë dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë ne, referuar edhe lëvizjeve të përditshme që janë midis dy qyteteve Pogradec-Korçë. Qysh në fillim të herës bashkia jonë ka marrë të gjitha masat për të bërë të mundur përballimin e situatës së pandemisë dhe këtu kemi gjetur mjaft mirë edhe bashkëpunimin e qytetarëve. Një nga vendimet e mia të para ishte mbyllja e tregut industrial, e cila mund të ishte një vatër potenciale për përhapjen e virusit. Ishte vendim që preku shumë qytetarë dhe tregtarë dhe shfrytëzoj rastin t’iu kërkoj ndjesë por ishte një vendim që duhej marrë. Nga ana tjetër qytetarët kanë qenë mjaft të rregullt në zbatimin e masave që nga distance sociale, respektimii fashave orare apo shmangia e grumbullimeve masive.
Aktualisht jemi në gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore deri më 23 qershor, dhe bashkia është një nga strukturat që menaxhon dhe përballon situatën. Sipas këtij ligji në çdo bashki, nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, krijohet dhe funksionon komisioni i mbrojtjes civile. A është krijuar kjo strukturë nga ana juaj dhe si po menaxhohet situata aktualisht?
Po, ky komision ka qenë i ngritur më herët nën drejtimit tim, ka një përbërje prej 12 anëtarësh. Ky grup pune në detyrat e tij ka edhe vlerësimin e situatës që mund të shkaktohen nga fatkeqësitë, vlerësimin për përballimin e situatës etj. Nga ana e këtij grupi janë marrë të gjitha masat për të përballuar me sukses situatën e pandemisë. Njëkohësisht janë zhvilluar takime periodike për raportimin e gjendjes faktike dhe masave të marra në bashkëpunim edhe me institucione të tjera. Krahas këtij grupi pune janë edhe disa grupe të tjera që kanë funksionuar. Grupi i punës me inspektorë të tatim-taksave, policisë bashkiake, policisë së rendit dhe inspektorët e shëndetit publik. Në mënyrë të përditshme ata bënin survejimin e situatës tek të gjitha subjektet e mbyllura me vendim qeverie. Në përgjithësi pati zbatim të tyre në masë me përjashtim të dy tre subjekteve që i shkelën dhe u gjobitën. Një tjetër grup pune ishte edhe ai për të shërbyer per pensionistët e vetmuar ne qytet dhe fshatra. 12 skuadra vepruan në terren duke dhënë ndihmën në kohë reale për banorët në vështirësi për të lëvizur si pasojë e situatës dhe janë me mijëra raste që ne iu kemi shërbyer çdo ditë.
Pogradeci konsiderohet ndër zonat e gjelbërta nga qeveria, zona për të cilat është parashikuar edhe një lirim më i madh masash. Ku konsistojnë ato dhe cilat janë masat që bashkia po ndërmerr për të parandaluar përhapjen e virusit në këto kushte të zbutjes lë te themi.
Po tashmë prej disa ditësh Pogradeci është në hartën e qyteteve të gjelbërta, e cila parashikon lehtësira në lëvizjen e qytetarëve apo edhe automjeteve. Por kjo nuk do të thotë se duhet të neglizhojmë masat. Puna jonë vijon në disa drejtime. Vazhdojmë periodikisht me dezinfektimin e qytetit dhe njësive. Ωdo ditë bëhet kontroll në subjektet e hapura për zbatimin e masave të sigurisë, distancës, dorezave apo maskave. Kemi filluar pak nga pak të hapim tregun, por nën masa të rrepta survejimi. Kemi disa punonjës të administratës të cilët i kemi angazhuar për të dalë në rrugë dhe sheshe dhe për të folur me qytetarët që të vijojnë të zbatojnë masat dhe udhëzimet. Gjithashtu, vijojmë bashkë me policinë e shtetit të ruajmë me masa të rrepta parqet dhe lulishtet për të shmangur grumbullimet.
https://www.facebook.com/bashkiapogradec/
Në nenin 65 të ligjit për Fatkeqësitë Natyrore përcaktohet dhe buxheti i bashkive për përmballimin e situatës ku thuhet se bashkitë mund të planifikojnë fonde që sigurohen dhe nga fondet e kushtëzuara të buxhetit të shtetit, por dhe të planfikojë fonde shtesë nga burime të tjera. Referuar kësaj, a keni identifikuar familjet në nevojë dhe jo vetëm, dhe si po i ndihmon bashkia (krahas fondeve qeveritare) këto familje?
Prej filllimit të pandemisë ne morëm masa për të siguruar paketa ushqimore për familjet nevojtare. Nuk ishte e nevojshme një punë e madhe për identifikimin e tyre pasi janë në listat e skemës së ndihmës ekonomike dhe fakti që ne u përgatitëm shpejt lidhje me shifrën. Pogradeci në rang prefekture ka numrin më të lartë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike mbi 6 mijë dhe si e tillë puna që duhej të bënim ishte tepër e madhe. Nga këto lista si fillim evidentuam familjet në kushte më esktreme dhe nisëm furnizimin e tyre me paketa ushqimore në bazë edhe të vendimit të qeverisë apo kritereve që duhet të plotësonin. Mbi 600 paketa janë siguruar me buxhetin e bashkisë Pogradec, në një kohë kur janë 3 mijë të tjera që i kemi shpërndarë në bashkëpunim me bizneset, individët, OJF humanitare etj. Pra sot ne kemi mbi 3600 familje të furnizuara me ushqim ndërkohë që vijojmë ende pasi fondacionet janë duke na ofruar të tjera paketa ushqimore për familjet që kanë mbetur pa u trajtuar dhe që do trajtohen në vijimësi. Jo vetëm këtu por bashkia Pogradec ishte në pararojë edhe sa i përket mikpritjes së shtetasve shqiptarë që vinin nga Greqia apo Maqedonia e Veriut dhe karantinoheshin në Pogradec. Në njërin prej hoteleve bashkia mori përsipër furnizimin me ushqim të 70 qytetarëve për tre vakte, veprim që nuk e bëri asnjë bashki tjetër ku u hapën karantina për emigrantët. Këtë e bëmë në bashkëpunim me biznesin dhe qytetarët çka tregoi edhe njëherë se pogradecarët kanë vlera dhe dhembshuri në çdo lloj situate.
A keni krijuar një plan lehtësimi taksash vendore për bizneset?
Po, edhe këtu bashkia Pogradec ka qenë ndër të parat bashki që e ka realizuar këtë gjë. Me vendim të këshillit bashkiak dhe të kërkuar nga kryetari i bashkisë ne arritëm që të zerojmë tarifat vendore për muajin prill për të gjitha bizneset e mbyllura. Ndërsa që në muajin mars i përjashtuam ato nga tarifa e hapësirës publike. Ndërsa sa i përket edhe pagesave të tarifave vendore i shtymë pas muajit qershor. Një tjetër pikë që e kemi në vëmendje është lehtësimi i subjekteve të biznesit që do të operojnë përgjatë verës, në varësi të situatës ne do të ulim tarifat vendore për t’i lehtësuar ata në mënyrë që të rimarrin veten e tyre si pasojë e krizës në të cilën janë aktualisht.
Pogradeci gjithashtu është një nga zonat turistike të Shqipërisë mjaft i frekuentuar në çdo stinë. Si e parashikoni turizmin këtë vit në kushtet e jashtëzakonshme që u përfshi vendi dhe bota. A ka bashkia një plan mbështetës për këtë?
Ne jemi duke punuar njësoj sikur sezoni veror do te çelet me 6 qershor. Paralelisht me punën kundër pandemisë ne vijuam me përgatitjet për sezonin dhe tashmë e kemi vënë punën para kur i thonë fjalës. Ne rehabilituam 5 km vijë liqenore me plazh ranor nga Pogradeci deri në Tushemisht duke i dhënë një pamje që nuk e ka pasur kurrë më parë dhe një pastërti, e cila besoj do të tërheqë mjaft pushues këtë vit. Vazhdojmë gjithashtu edhe në brendësi të qytetit me plazhet publike jemi duke punuar për të rikthyer shkëlqimin e plazhit të “Huckave” po rehabilitohet dhe zgjerohet 100 metër katorë sipërfaqe dhe më pas do vendosim edhe ndriçimin publik dhe stolat në zonë. Po ndërtojmë trotuarin e ri tek rezidencat qeveritare që perdoret shumë për të pedaluar dhe ecur në mbrëmje nga qytetarët. Kemi edhe shumë të tjera në proces ndërkohë që kemi bere gati risinë më të re të këtij viti në Pogradec, sheshin e trëndafilave ose të dasmave për të gjithë çiftet e reja që do lidhin martesë. Sa i përket mbështetjes së biznesit e thashë edhe më lart, po do të ketë një program të vecantë për ta në varësi të gjendjes do të lehtësojmë tarifat vendore të paktën këto ka në dorë bashkia në mënyrë që ata të kenë mundësinë të rimarrin veten pas pandemisë. Frekuentimi? Pogradeci ka qenë plot edhe në ditët e tij më të këqija, me punën që po bëjmë besoj që nuk do ta ndjejmë fare këtë që po kalojmë dhe sezoni veror dashtë Zoti të na japë ditë me diell do jetë i suksesshëm./tirananews.al