Ish-mbrojtësi legjendar i Holandës, Jaap Stam, beson se Lionel Messi është ende futbollisti më i mirë në botë dhe se ai e meritoi ta mposhte Virgil van Dijkun në garën për Topin e Artë 2019. Kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është shpërblyer me çmimin prestigjioz individual plot gjashtë herë. Ai theu rekord me triumfin e tij në dhjetor, kur i la prapa vetes Virgil Van Dijkun dhe Cristiano Ronaldon. Shumë tifozë kishin thënë se Van Dijku, i cili luajti rol kyç në suksesin e Liverpoolit në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, e meritonte të bëhej mbrojtësi i parë që nga Fabio Cannavaro në vitin 2006 që e fiton këtë trofe.
Mirëpo, ish-qendërmbrojtësi i Manchester Unitedit, Lazios dhe Milanit, Stam, beson se Messi e meritoi ta fitonte Topin e Artë vitin e kaluar, përkundër paraqitjeve të mira të bashkëkombësit të tij. “Zakonisht mbrojtësit nënvlerësohen dhe njerëzit nuk mendojnë shumë për ta. Mendoj se sot kjo po përmirësohet dhe njerëzit kanë filluar ta vlerësojnë punën e një mbrojtësi më shumë”, ka thënë Stam. “Por, golashënuesit fitojnë më shumë para dhe ata marrin më shumë vëmendje. Kështu ka qenë gjithmonë dhe do të jetë njëjtë edhe në të ardhmen”.
“Kur e shikojmë botën tani, mendoj se Messi është lojtari më i mirë. Nëse e shikon Topin e Artë dhe triumfin në garën për atë trofe, mendoj se ishte vendimi i duhur për t’ia dhënë Messit”. “Do të më kishte pëlqyer ta kishte fituar Virgil sepse ai bëri punë të mrekullueshme. Nuk është se nuk do të doja që ai ta kishte fituar, por mendoj se Messi e meriton atë, duke marrë parasysh se çfarë bën çdo vit duke shënuar gola dhe duke krijuar gola, përkundër presionit që e ka”.