Presidenti Meta kreu një vizitë më sfond fetar në Shkodër, ku, në kuadër të muajit të Ramazanit takoi Myftiun e njohur të Muhamed Sytari. Më parë, Meta vizitoi Kavajën, që së bashku me Shkodrën janë dy qytetet simbol të jetës islame në Shqipëri, duke qenë njëherësh dhe dy bastione të djathta, sa në perceptim e sa në realitet, ndonëse Kavaja ka një ndryshim kahjeje dekadën e fundit.
Ka një lexim politik të qartë ky tur i Metës brenda domenit fetar, posçërisht atij islam. Presidenti, si në shumëçka, po e shfrytëzon maksimalisht këtë status të lartë shtetëror, të shndërruar dhe në politik, për të qenë ai lideri i afërt i opozitës, me shumë më shumë aftësi e përvojë politike për t’u përballur me Ramën. Në këtë pikë është dorëzuar dhe opozita në përgjithësi, PD-ja po ashtu, e cila më shumë se te Basha infantil, i ka varur shpresat e së ardhmes së saj, për të qenë një ditë në pushtet, pikërisht te Meta.
Në kuadër të kësaj, Meta po konfirmon faktorizimin e komunitetit musliman si me forcë deri diku përcaktuese në zhvillimet politike. Në vizitën e Shkodrës gjithçka ishte normale deri te mbërritja në një skenë të paprecedent dhe vështirë të shpjegueshme; në adaptimin e ambientit të brendshëm të xhamisë së Parrucës si një vendpritjeje me natyrë zyrtare, me vendosjen e disa karrigeve dhe një tavoline në mes, bash në vendfaljen me aktive të shamisë, në ballë të saj, aty ku është dhe qëndrimi i imamit.
Para kësaj, siç e tregojnë dhe fotot, Meta ishte në zyrën e Myftiut, e më pas, nuk shpjegohet dot se për ç’arsye duhej dhe një takim tjetër, më i gjerë, brenda xhamisë, duke ndërhyrë në statusin e saj të së shenjtes, në sajimin e një ambienti ndoshta të munguar bashkëbisedimi në Myftini, por që cenon imazhin, si dhe praktikat e deritanishme, kur dikush, politikan a zyrtar, viziton një xhami.
Edhe pse me rregull të pashkruar, por krejt natyrshëm, vizita kryhet në këmbë e bashkëbisedimi gjithashtu, shoqëruar me një ecejake mes mikëpritësit dhe vizitorëve.
Ndërsa në rastin konkret kemi një risi jo shijemirë, ku jodomosdoshmërisht është përgjegjës kreu i shtetit. Aty ku janë instaluar karrike e një tavolinë mesi, është vend i destinuar për falje, posaçërisht për falje, e sajesa të tilla ngjajnë si një përçudnim ndaj së shenjtes së një xhamie.
Një xhami ka dimensionin e vet të së shenjtes, e për këtë arsye dikton kufizime apo dhe vetëkufizime në inisitiva, qoftë dhe të autoriteteve, për të adoptuar aty praktika të panjohura deri më sot. Nëse sot aty, paçka arsyes korteziale, siç ka qenë respektimi i një mysafiri si presidenti i vendit, vendosen karrige e tavolinë, pra sajohet një zyrë e holl, ku është limiti që nesër kjo të mos avancojë më tej, me forma të të tjera adaptuese, ku arsyeja mund të justifikojë mjetin.