Bashkëkryetari i tryezës së Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, pas mbledhjes së Këshillit Politik dha një prononcim për mediat, ku foli për disa nga çështjet që nuk po bihet dakord me PD-në. “Administrata është e mundshme nëse biem dakord për skemën që rekrutimi të jetë i hapur, jo vetëm administrata, por shtetas me diplomë apo vitin e fundit në universitet ka të drejtë, komisionerët të zgjidhen rastësisht. Garancia ekstra që partitë të kenë përfaqësues politikë por jo vendimmarrje. Të kenë mundësi të mbajnë shënime dhe të kundërshtojnë, por jo vendimmarrje. Nuk e di pse e kundërshton PD-ja. PD-ja do skemën e politizuar dhe akuzon vetë se nuk ka funksionuar se janë mbushur kutitë janë shitur zgjedhjet. Do ishte më e ndershme ta thoshte hapur. Nuk është depolitizm të çosh një të zgjedhur nga administrata dhe pjesa tjetër të jetë politike, pra qengji dhe ujqërit aty politikë. Këto çështje duan më shumë vullnet”, tha ai.

Damian Gjiknuri tha se për ndryshimin e sistemit nuk kanë asnjë propozim në tryezë, ndërkohë PD-ja nuk heq dorë nga qeveria kujdestare. I pyetur se si mund të zgjidhet kjo dhe a mendon Damian Gjiknuri se një takim Rama-Basha do të ndryshonte gjërat për të arritur te konsensusi, ai u përgjigj: “Një takim mes Ramës dhe Bashës është në dorën e tyre dhe i bën shumë mirë Shqipërisë.”