Astrologia e njohur Meri Shehu ishte e ftuar tek “Rudina”, këtë herë jo për të dhënë parashikimin për çdo shenjë horoskopi siç bën çdo fillim muaji, por për të treguar çfarë pritet të ndodhë pas 13 Majit dhe 3 muajt në vazhdim, pra deri në 7 Gusht.
“Pas 13 Majit planeti Afërdita kthehet i kundërt dhe sjell keqkuptime, mosmarrëveshje, krisje në marrëdhënie. Si pa kuptuar, nga një fjalë, nga një moment mund të ndahen njerëzit dhe as nuk e kuptojnë që po ndahen. Ky ndikim do jetë deri në datën 7 Gusht. Tre shenja do preken më shumë: Binjakët, Peshoret dhe Demët. Gjithashtu Shigjetarët do jenë një nga shenjat që do sprovohen më shumë këtë verë përsa i përket marrëdhënieve më të tjerët, sidomos marrëdhënieve në çift. Por edhe Virgjëreshët dhe Peshqit duhet të jenë shumë të vëmendshëm në marrëdhëniet personale dhe ekonomike”, u shpreh Meri.
Ndërsa shenjat më të avantazhuara gjatë kësaj periudhe do jenë Ujorët dhe Dashët. “Ujorët nuk do kenë shumë probleme, mund t’u rikthehet një person nga e kaluara. I rikthehet një shans i dytë. Por kujdes çfarë do vendosin sepse nëse vendosin shpejt do bëjnë gabime si në të kaluarën. Edhe Dashët do jenë pak më mirë”, tha Meri. “Sa i përket Akrepëve do ndodhin ngjarje karmike, rikthehen njerëz nga e kaluara, por që janë të destinuar të ndodhin. Do kenë një ndërlikim të jetës shpirtërore”, vazhdoi Meri.
Astrologia tregoi se pas 13 Majit do të dalin të vërteta në shesh. Madje edhe për virusin. “Pas datës 13 Maj deri në fund të Majit do dalin të vërtetat, do marrim vesh të vërtetën për virusin, të vërtetën për jetën tonë, çfarë duam çfarë nuk duam, të vërtetën për marrëdhëniet ekzistuese. Mendoj që virusi nuk do na shqetësojë më aq shumë. Por pasojat e tij do na komplikojnë”, tha Meri.