Kancelarja Angela Merkel është shprehur se qeveria gjermane po e monitoron situatën e koronavirusit nga afër, por përgjegjësia reale qëndron gjithnjë e më shumë në 16 njësitë federative të Gjermanisë. Merkel theksoi se qytetarët gjermanë duhet të tregohen të kujdesshëm për të shmangur përhapjen e virusit, duke respektuar masat për veçim shoqëror, si dhe vendosjen e maskës mbrojtëse.

“Ne akoma jemi në fillimin e pandemisë”, tha ajo. Kujtojmë se të hënën, Gjermania lehtësoi masat izoluese, duke vendosur për hapjen e restoranteve dhe lokaleve. Vendi është zhytur në recesion, pasi pësoi tkurrjen ekonomike më të madhe tremujore që nga kriza financiare e vitit 2009.

Mësohet se ekonomia ra me 2.2% në tre muajt e parë të vitit 2020, pasi dyqanet dhe bizneset u mbyllën, si një masë paraprake për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Gjermani janë regjistruar gjithsej 181,293 raste me COVID-19 dhe 8,408 viktima.