Jon Mersinaj është një nga talentet shqiptarë që ka spikatur në këtë sezon të kampionatit kroat me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit. I ftuar në një lidhje live me emisionin Fan Zone në Supersport ish-lojtari i Laçit foli për ecurinë e tij këtë sezon, për ftesën e marë nga kombëtarja shqiptare, për një ofertë të mundshme nga Partizani në të ardhmen, ndërkohë që zbuloi edhe ëndrrat e karrierës së tij.
“Të gjithë e presim ftesën e Kombëtares dhe është një ëndërr. Unë kisha marrë ftesë për miqësoret e marsit, por më vjen keq pasi virusi ndaloi gjithçka. Shpresoj që të marr një ftesë tjetër”. “Te Laçi kam kaluar një eksperiencë shumë të mirë. Kam marrë shumë minuta dhe eksperiencë dhe falë asaj unë jam këtu tani”.
“Ofertë nga Partizani? Pse jo?! Për të ardhmen duhet të bëj shumë punë dhe më pas të shikojmë”. “Nuk mendoj se fakti që luaj jashtë më bën të marr ftesë nga Reja. Mendoj se Reja i beson lojtarëve të rinj dhe për këtë më dërgoi ftesë”.
“Ne ndihemi shumë krenarë që jemi në vendin e 3-të në renditje dhe kemi shumë mundësi për vendin e dytë, pasi jemi vetëm 1 pikë larg. Ne jemi të gjithë të bashkuar dhe kjo është arsyeja pse kemi suksese në rezultate”. “Dje kemi nisur stërvitjen me grup të plotë, ndërsa kemi 2 javë me stërvitje në grupe të ndara. Më 30 maj kemi ndeshjen e parë të Kupës dhe më 6 qershor ndeshjen e parë të kampionatit”.
“Kampionati shqiptar është me shumë rivalitet dhe ekipet janë të barabarta. Nuk ka shumë diferenca me kampionatin kroat. Isha shumë i kënaqur që mora ftesën e Kombëtares, por nuk ia dola të luaj”. “Idhulli im ka qenë Thiago Silva që nga koha kur luante te Milani, dhe e ndjek atë si shembull. Ëndrra ime është të luaj në kampionatin gjerman, por ekipi i preferuar është Milani dhe do doja të luaja në Serie A”. “Kroacia ka goca të bukura, por shqiptaret janë më të bukura.”, u shpreh Mersinaj për “Supersport”.