Leandro Paredes foli në “FOX Sports” mbi të tashmen e tij te PSG, rritjen si lojtar, të ardhmen e Neymar dhe rëndësinë e Lionel Messi në kombëtaren argjentinase.
Marrëdhënia me Neymar. “Ai më telefonon gjithmonë. Tani që jemi mbyllur, flasim me kamera. Vërtet, ne komunikojmë shumë edhe në këto kohë karantinimi. Ai do të qëndrojë me ne te PSG. Nuk po flas për këtë me të, por kështu besoj se do të ndodhë. Le ta lëmë Ney t’i marrë vetë vendimet e tij me qetësi”.
Marrëdhënia me Messi. “Ai është edhe njëshi, kështu e trajtojmë në kombëtaren e Argjentinës. Lidershipi i tij është shumë pozitiv. Ne përpiqemi ta bëjmë të ndihet i qetë, t’i tregojmë se jemi pranë tij në çdo gjë. Ai është më i miri në botë, por sillet si njeri krejt i zakonshëm. Imagjinoni, qëndron deri vonë me ne, duke luajtur letra, kur grumbullohemi me kombëtaren. Kjo është shumë e mirë për të gjithë ne”.
“Copa América” 2019. “Pjesërisht ishte një padrejtësi. Nëse do të merreshin vendime të tjera (ndaj Brazilit), do të arrinim në finale”.
Eksperienca te PSG. “Më pëlqen stërvitja në Europë. Është një nivel shumë i lartë dhe unë e shijoj gjithçka te PSG në maksimum. Futbolli europian është shumë më i shpejtë, ka më pak prekje, topi lëviz shumë. Ju duhet të vraponi, sepse topi shkon nga një cep i fushës në tjetrën në pak kohë, ndaj nevojitet ritmi. Në Amerikën e Jugut loja ka ndërprerje të shumta, kjo u pa edhe në “Copa América”.