Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka rrëfyer momentet e vështira gjatë pandemisë së shkaktuar nga COVID-19. E pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, ministrja ka treguar dy momente të cilat i konsideroi të vështira, dita e parë e rasteve të konfirmuara pozitive me COVID-19 dhe gjithashtu sa herë mësonte lajme se dikush nga personeli shëndetësor ishte infektuar me COVID-19.
“Më kujtohet dita e parë, në 8 Mars e të konfirmuarve të parë, duhej të kishte qenë mesnatë ku sapo u konfirmuan rastet, në zyrën time ishte prof. Najada Çomo, prof. Rakacolli, Prof. Bino, dr. Brataj, që u mblodhën dhe atë që kishim hedhur në letër me skenarë duhej ta vinim në zbatim, ishin emocione të përziera, shihja që ata prisnin t’ju jepja forcë, u mobilizuam dhe secili mori rolin e vet. Momenti tjetër i vështirë ka qenë infektimi i disa prej antarëve të Task-Forcës dhe mjekëve dhe infermierëve të stafit mjekësor”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu ka falenderuar gjithë ekipin e ekspertëve dhe po ashtu personelin shëndetësor të cilin e konsideroi një aset të çmuar që mbajti një peshë të jashtëzakonëshme.