22 maj 2010 është një datë e shënuar në zemrën e secilit lojtar të Interit. Në fakt, atë ditë jo vetëm që u rikthye Interi për të fituar Ligën e Kampionëve, çka nuk ndodhte për 45 vjet, por u bë skuadra e parë në historinë e futbollit italian, që fitoi “tripletën”.
Ndër protagonistët e mëdhenj të asaj sipërmarrjeje nuk mund të mos përmendet José Mourinho, i cili, saktësisht 10 vjet pas asaj që ishte një nga netët më të rëndësishme të karrierës së tij, në një intervistë të dhënë për “La Gazzetta dello Sport” kujtoi se cila është marrëdhënia e tij me tërë botën zikaltër:
“Unë dhashë më të mirën në karrierën time në shtëpinë zikaltër. Aty isha 200 për qind me zemrën time; më shumë si njeri sesa trajner. Kjo është arsyeja pse në Madrid isha më i lumtur të përjetoja lumturinë e të tjerëve. Nga Moratti deri tek i fundit punonjës i fushave stërvitore janë pjesë e lumturisë time. Unë tashmë e kisha fituar një Ligë të Kampionëve. Ia dola edhe me Interin, duke fituar “tripletën” në Itali, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë”.
Interi i tij, brenda pak ditësh e gjeti veten duke luajtur tri ndeshje vendimtare, tri “finale”: “Nuk kam dashur ta luaja atë të Kupës së Italisë, kur na vunë himnin e Romës përpara ndeshjes. Ishte provokim. Ndërhyra dhe iu thashë përgjegjësve: Ndalojeni muzikën, ose do të largohemi. Në fakt u tremba në Siena. Gjashtë ditë më vonë ishte sfida e madhe e Champions-it, kisha frikë se nuk do ta luanim atë ndeshje si finale.
Ne e mbyllëm 0-0 pjesën e parë, Roma fitoi 2-0. Në dhomën e zhveshjes pashë një nxehtësi të jashtëzakonshme. Desha të kuptoja si mund ta ndihmoja ekipin të kthehej në mënyrë taktike. Ishte shumë e vështirë dhe nuk mbaroi kurrë. Unë kisha dashur që një ditë të fitoja një kampionat në fund. Atë ditë i thashë vetes: Kurrë më”.