Analisti dhe gazetari Mustafa Nano është kundër modelit danez, të propozuar për reformën zgjedhore. Modeli danez e ul pragun e hyrjes së një force politike në Parlament në 2 % dhe u jep mundësi partive të vogla. Por për Nanon, realiteti politik në Shqipëri, për shkak të mënyrës si kanë funksionuar vitet e fundit partitë e vogla, do të ishte më mirë pa to.
“Këto kanë qenë gjithmonë parti pragmatiste dhe për sa ka funksionuar deri tani i shoh të panevojshme. Për mua nuk është ndonjë gjë e madhe nëse ato zhduken nga sistemi”, tha Nano në studion e TvT.
Sipas tij, kjo u vjen përshtat edhe partive të mëdha, të cilat e kanë kundërshtuar modelin danez.
“Ka gjëra që të dy partitë e mëdha i duan njëkohësisht. Aty ku merren vesh dy partitë e mëdha ka një gjë. Ato nuk duan të ulet pragu. Kjo situatë u pëlqen. Nuk do të donin ta ndryshonin Kodin Zgjedhor sepse kodi aktual i jep fuqi kryetarëve. Në këtë pikë, jam dakord me partitë e mëdha. Ato nuk e duan sepse duan ti kenë nën kontroll partitë e vogla”, tha ai.
Sa i takon deklaratës së ambasadores amerikane për “një përpjekje për të vrarë reformën në drejtësi”, Nano tha se edhe pse nuk u fol me emra, mund të kuptohet se për kë ishte fjala.“Do të kompomentohej etika diplomatike nëse do të fliste me emra. Edhe pse diplomatët përpiqen ta fshehin këtë fakt, po folën me emra, letrat hapen. Herë pas here, ata kanë folur me emra, por e kanë bërë kur u ka vajtur në majë të hundës. Ne kemi parë që presidenti Meta nuk e priti në zyrat e veta. Ne e kemi parë Metën që ka një marrëdhënie të vështirë me disa ndërkombëtarë. Shumica e njerëzve besoj bëjnë këtë lexim që bëj unë”, tha ai.
Sa i takon deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila u shpreh pak ditë më parë se në rrugëtimin për përmbushjen e reformës në drejtësi, palët politike duhet t’i lënë lojërat, Nano tha se kjo lidhet më shumë me opozitën.“SHBA dhe të tjerët janë investuar te reforma në drejtësi. Kur flet për lojëra politike, flet për njerëz apo politikanë që përpiqen të vënë shkopinj nën rrota. E ka me faktorë në opozitë. Nuk e di se me kë. Nëse supozojmë se maxhoranca po e merr në dorë sistemin është për t’u trembur. Por vetingun nuk e ka pasur nën kontroll. Kanë dalë nga sistemi të majtë e të djathtë. Ndërsa për emërimin mund të lindë njëfarë diskutimi”, tha ai.
Lidhur me atë që pritet të ndërtohet në truallin e Teatrit dhe zonën përreth, Nano thotë se më mirë se çdo gjë tjetër, aty do të rrinte një lulishte.“Unë e kam shprehur qëndrimin ndaj Teatrit dhe e kam të kondiconuar me idenë e ndërtimit të kullave. Disa grataçela aty i ndryshojnë faqen Tiranës. Unë në atë vend po të isha kryetar bashkie apo kryeministër, pronën do ta blija dhe të bëja aty një park. Krahasuar me kryeqytetet të tjera të Europës, në këtë aspekt ne jemi shumë mbrapa”, tha ai.