Serie A do të rifillojë. Kjo është pak por e sigurt, pasi tani që situata e pandemisë në Itali është qetësuar të gjitha palët, qeveria dhe Liga janë në një mëndje. Për t’u përcaktuar mbeten modalitetet, duke nisur nga data zyrtare, orari i ndeshjeve dhe sigurisht disa pika të protokollit, më e diskutuara ajo për karantinën e detyruar 2-javore për gjithë skuadrën, nëse një lojtar rezulton pozitiv me Covid-19. Gjithsesi, rikthimi në fushë I kampionatit italian është më pranë se kurrë, teksa mediat përtej Adriatikut bëjnë të ditur se data më e mundëshme është 20 qershori, afati i fundit kohor përtej të cilit nuk mund të shkohet.

Por më parë, nga data 13 deri më 17 qershor mund të luhen ndeshje të Kupës dhe ato të prapambetura. Sa I përket orarit të ndeshjeve, ato pritet të luhen vetëm në mbrëmje. Shoqata e Futbollistëve Profesionistë kundërshtoi më forcë mundësinë për të luajtur në orën 16:30 për shkak të temperaturave të larta të verës. Në këtë mënyrë, sfidat e kampionatit italian mund të nisin vetëm pas orës 19:30, duke spostuar me 60 minuta përballjet e zakonshme të darkës. Por ky plan kërkon edhe akordin me platformat televizive që kanë të drejtën e transmetimit, një tjetër problem që duhet të zgjidhet shpejt.