Duke pritur të kuptojmë se çfarë do të ndodhë me Serie A, në Europë tashmë ka nga ato shtete, që kanë vendosur t’i përfundojnë këtu kampionatet e tyre të futbollit. Rasti më i bujshëm është pa dyshim ai i Francës, me mbylljen e Ligue 1, çka është “çertifikuar” në orët e kaluara. Fundi i hershëm i kampionatit transalpin, për shkak të pandemisë, solli me vete caktimin e titullit të kampionit të Francës, PSG.

Ndërsa nëpër Alpe ka nga ata, që janë gati të përgatisin ankesa kundër vendimeve të marra, në Itali shumë pyesin veten se çfarë do të ndodhte, nëse edhe garat kombëtare aty do të shpalleshin të mbyllura përfundimisht. Gjatë javëve të fundit janë ngritur shumë hipoteza, por një gjë duket e sigurt: Juventus, i cili aktualisht është i pari në renditjen e Serie A, me epërsinë e një pike ndaj Lazio, pas 26 ndeshjeve, nuk është i gatshëm ta pranojë titullin e caktuar nga drejtuesit e futbollit italian, pa një përfundim të natyrshëm të kampionatit.

Në orët e kaluara, duke komentuar atë që ndodhi në Francë, një tifoz shkruajti në Twitter se Juve nuk do ta dëshironte titullin, pa e fituar atë në fushë: “Ne nuk duam të fitojmë në këtë mënyrë. Andrea Agnelli, gjithashtu, tha se do të rifillojë kampionati. Shpresoj të ndodhë kështu. Ne nuk jemi Interi”. Deri më tani, asgjë e jashtëzakonshme, përveç se Andrea Agnelli i ka dhënë “like” postimit të tifozit bardhezi. Nuk është hera e parë që kjo ndodh.

Tashmë, në fund të marsit, presidenti i Juventusit i dha “like” porosisë së një tifozi tjetër, që ftonte klubin bardhezi të mos pranojë një “trengjyrësh” të mundshëm në tavolinë. “Do të ishte e mrekullueshme ta fitonim titullin. Edhe më e mrekullueshme, nëse do t’i thoshim titullit në tavolinë: Jo, faleminderit!”