Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Mimi Kodheli, u shpreh sot optimiste se Shqipëria mund t’i përmbushë kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Në një intervistë televizive, Kodheli foli për Samitin e Zagrebit duke theksuar se “BE duhet të tregonte një qasje për vetë solidaritetin e munguar në fillim të krizës pandemike”.
“Kjo gjë mbase i bëri krerët e BE-së më të ndërgjegjshëm që pa këtë solidaritet në kushtet e një shqetësimi mbarëbotëror, Europa nuk mund të shkonte asgjëkundi dhe aq më pak mund të shkoj gjëkundi Ballkani Perëndimor. Ndaj mesazhi kryesor i deklaratës së Zagrebit ishte pikërisht solidariteti midis vetë BE-së por edhe mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në përballjen e kësaj krize por edhe të çdo krize tjetër që mund të vijë nesër. Por kjo besoj se ishte më shumë se sa e qartë se perspektiva europiane e vendeve të rajonit ishte kryefjala e mesazhit kryesor të deklaratës dhe kjo është shumë e rëndësishme për qytetarët shqiptarë”, tha ajo.
Kodheli tha se “konkluzionet për zgjerim dhe procesi i Stabilizim-Asociimit pavarësisht se do të miratohen nga Këshilli i Europës në qershor, janë një shtysë më tej që Shqipëria të vazhdojë të thellojë reformat dhe të plotësojë ato kërkesa që me të drejtë i ka”. Ndër to, Kodheli veçoi realizimin e Kodit Zgjedhor që do ta çonte Shqipërinë në zgjedhje më të mira demokratike në të ardhmen por jo vetëm thellimi i Reformës në Drejtësi dhe i të gjitha reformave të tjera të ndërmarra që duhet të vazhdojnë të jenë prioritet i politikës shqiptare.
“Besoj se ka vullnet politik për ta bërë këtë gjë. Shpeshherë gjërat në Shqipëri zvarriten dhe pastaj i jepet një zgjidhje në momentet e fundit. Ka një proverb që thotë: gjithçka është në rregull nëse përfundimi del pozitiv. Ne këtë duam, që brenda afateve që kemi caktuar të mund të mbërrijmë në një zgjidhje të pëlqyeshme për të gjitha palët. Vullnet politik ka, besoj se ka dëshirë të mirë, por besoj se ka mjaftueshëm edhe akoma hapësirë për të mundësuar rezultatin pozitiv të asaj që na është kërkuar”, tha Kodheli.
Kodheli tha se ngjarjet politike të vitit të kaluar nuk kanë qenë aspak të këndshme dhe sigurisht që kanë vënë në pikëpyetje mirëfunksionimin e institucioneve demokratike e të pavarura e të ndara nga njëra-tjetra në Shqipëri.
“Kjo nuk do të thotë se nuk ka akoma hapësirë për përmirësimin e situatës dhe kjo nuk do të thotë se Shqipëria nuk do t’i realizojë ato kushte të vëna. Shqipëria është një vend me një demokraci akoma të re, delikate, që e bën vulnerabël dhe sigurisht që shpeshherë e bën edhe përplasjen politike të fort. Por të mos harrojmë se përplasjet politike nuk janë të lehta edhe në vende të zhvilluara, ndaj ne duhet ta shikojmë si një proces në përmirësim. Besoj fort se kjo do të jetë hera e duhur dhe finale për marrjen e përgjigjes finale për hapjen e negociatave për Shqipërinë”, tha Kodheli.
Kodheli foli po ashtu edhe për angazhimin e 3.3 miliardë eurove nga BE si paketë ndihme financiare për rajonin.
“Ne patëm një fatkeqësi tjetër para pandemisë, atë të pasojave të tërmetit dhe kjo na shtoi përgjegjësitë jo vetëm për rindërtimin e vendit por edhe përgjegjësitë për çka ne morëm nga donatorët, pothuajse 1.2 miliard euro të dhuruara apo dhënë me kredi nga institucione të ndryshme financiare dhe donatorë. Shtuar dhe 3.3 miliard euro që janë pjesë e paketës financiare të post pandemisë kjo na i shton përgjegjësitë. Problem nuk janë paratë, por është projekti dhe zbatueshmëria, transparenca në përdorim, mënyra se si do të realizohen. Kjo shton përgjegjësitë tona në maksimum dhe mundëson edhe vënien në provë nëse jemi të zotë që nesër të thithim akoma më shumë fonde të BE-së”, tha Kodheli.