Të paaftë për avancimin më të vogël që prej tre muajsh, brtianikët dhe europianët duken të angazhuar në rrugën pa zgjidhje për të filluar të martën një raund të katërt negociatash, vendimtare për marrëdhënien e tyre post-Brexit. Kjo javë bisedimesh do të zhvillohet para një konference të nivelit të lartë për të shprehur qëndrimet lidhur me negociatat në qershor dhe për të cilat britanikët kanë dhënë një afat për të vazhduar apo jo diskutimet.

Europianët kërkojnë një marrëveshje më të gjerë, të shoqëruar me garanci serioze për të parandaluar Britaninë e Madhe që të rregullojë ekonominë e saj në çështje fiskale, sociale ose mjedisore në dëm të tyre. Dhe ata po kërkojnë qasje në ujërat britanike për peshkatarët e tyre. Por Londra, e cila nuk kërkon asgjë më shumë se një marrëveshje klasike të tregtisë së lirë që ruan autonominë e saj rregullatore, ndoshta e shoqëruar nga marrëveshje sektoriale të vogla, i konsideron këto kërkesa të tepërta. “Ajo që BE kërkon nga ne është e pazakontë në të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë që ajo ka nënshkruar, apo që ka parashikuar të nënshkruajë me ekonomitë e tjera”, nënvizoi ministri i Shtetit, Michael Gove.