Këshilli bashkiak do të mblidhet nesër për të votuar mbi propozimin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Mbledhja është parashikuar të nisë në orën 12:00.

Pas vendimit të qeverisë për t’ia kaluar godinën në pronësi Bashkisë Tiranë, në rendin e ditë së mbledhjes së këshillit bashkiak është futur vendimi për miratimin e akt ekspertizës së Institutit të Ndërtimit, realizuar që në vitin 2018 për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Mbrëmjen e djeshme Bashkia Tiranë i ka dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar duke i kërkuar që të lirojnë godinën, pasi tashmë teatrit është nën administrimin e saj.