Boksierët britanikë Tyson Fury dhe Anthony Joshua kanë nisur zyrtarisht negociatat për të zhvilluar një duel të madh mes tyre. Dy boksierët kampionë bote në peshën e rëndë synojnë të duelojnë në dhjetor të këtij viti. Një sfidë që do të unifikonte titujt kampionë bote në këtë Divizion. Sipas mediave britanike, palët synojnë që ta zhvillojnë këtë përballje të madhe në Arabinë Saudite, ndaj dhe janë në pritje të një oferte të majme nga vendi arab. Joshua (23 fitore e 1 humbje) mban titujt e kategorive IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Fury (30 fitore e 1 barazim) mban titullin e kategorisë WBC.

Pavarësisht se negociatat kanë nisur, rruga për gjetjen e një marrëveshje mes dy boksierëve është e gjatë, pasi bëhet fjalë për një duel të madh, që gjeneron shumë të ardhura. “Të shohim se çfarë ofertash do të marrim nga Arabia Saudite, Katari etj., pra nga Lindja e Mesme. Kjo do të ishte një sfidë e madhe për boksin britanik”, tha promotori i njohur i boksit, Bob Arum.