Shi Zhengli është një virologe e njohur, që e ka përqendruar punën e saj kërkimore te koronavirusi i lakuriqëve. Ajo thotë se viruset që po zbulohen së fundmi janë vetëm maja e ajsbergut, ndërsa bën thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër epidemive.Në një intervistë për televizionin shtetëror kinez, zëvendësdrejtoresha e Institutit të Virologjisë në Vuhan thotë se studimet që kryhen për koronavirusin kërkojnë transparencë dhe bashkëpunim mes qeverive dhe komunitetit shkencor, dhe se është “shumë për të ardhur keq” kur shkenca politizohet.
“Nëse duam të parandalojmë që qeniet njerëzore të vuajnë nga një tjetër shpërthim sëmundjeje infektive, duhet të jemi një hap para sa i takon njohjes së viruseve të panjohura të bartura nga kafshët e egra në natyrë dhe të japim paralajmërime të hershme“, thotë ajo për CGTN. “Nëse nuk i studiojmë ato, ka mundësi të ketë një shpërthim tjetër.”
Intervista e saj me kanalin televiziv CGTN përkoi me fillimin e Kongresit Kombëtar Popullor në Kinë, një takim vjetor i udhëheqjes së lartë në Pekin. KKP e këtij viti vjen në një kohë kur marrëdhëniet e Kinës me SHBA-të po bëhen gjithnjë e më shumë të tensionuara, ndërsa Presidenti Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, janë shprehur se koronavirusi që u përhap në të gjithë botën ka të ngjarë të lidhet me laboratorin Vuhan.
Kina i ka hedhur poshtë këto akuza. Shi ka thënë se karakteristikat gjenetike të viruseve me të cilat ajo ka punuar nuk përputhen me ato të koronavirusit që përhapet te njerëzit. Në një postim në mediat sociale, ajo shkroi duke u betuar me jetë se pandemia nuk kishte asnjë lidhje me laboratorin e saj. Në një intervistë tjetër me CGTN gjatë fundjavës, drejtori i Institutit të Virologjisë Vuhan, Wang Yanyi, tha se ideja që virusi ka dalë nga laboratori ishte “fabrikim i pastër”.
Deri tani, koronavirusi ka infektuar më shumë se 5.4 milionë njerëz në të gjithë botën dhe u ka marrë jetën mbi 345 000 prej tyre. / Bloomberg /