Nga Artur Ajazi
Nuk e kisha menduar se karantina dhe periudha pandemike e COVID-19, do të ishte shkaku kryesor i krijimit të një situate kaotike, dhe një paqartësie totale tek ish-opozita e dikurshme. Një paqartësi e dukshme, teksa dalin dhe japin mendime “të vyera” për zgjerimin apo dhe zvoglimin e masave anti-virus, duke vazhduar më tej, me “mungesën e spitaleve, shërbimeve mjeksore, tamponeve”, dhe në çdo rast, një mungesë e theksuar informacioni. Ekspertët e SHQUP-it, edhe dje nisën të lëvrinin duke nxjerrë të tjera “ankesa” dhe denoncime për “mungesën e shërbimit mjeksor për personat që kanë të nevojshme sanatoriumin”.
Sa ishte pa u kthyer në spital për të prekurit nga COVID-19, gjithë “ekspertët” e Lulzimit nuk lanë gjë pa thënë për “mungesë transparence dhe abuzime me paratë e taksapaguesve”, kurse tani dritëshkurtësia dhe paqartësia në gjithçka, ka bërë punën e saj. Gjithë PD-ja e dikurshme, duket si një organizatë debatikase, ku çdo njëri prej tyre, merr qysh në mëngjes detyrën, dikush merret me mjekët duke i sharë dhe fyer ata në rrjete e portale, dikush merret me ministrat, dikush merret me kryeministrin, dikush merret me gjurmimin e “zbulimin” e abuzimit me tenderat, por asnjë prej tyre, madje edhe “ekspertët” e fushës së mjeksisë, nuk merren me problemin, me virusin, me parandalimin, mjekimin, shërimin, apo me qasjen e tyre drejt spitaleve, për ti shërbyer shqiptarëve.
Deri sot “ekspertët” e paqartë të SHQUP-it, ata që shesin dëngla dhe deklarojnë se “ne japim leksione nga dhomat e gjumit me celularë” nuk janë afruar qoftë edhe njëherë të vetme në spitale dhe qendra të rehabilitimit të personave të prekur nga COVID-19.
Ata janë Mesia, ata janë gjithçka, veçse për “ekspertë” të fushës nuk vlejnë. Ata mund ti vlejnë Doktorit, Lulzimit, apo dhe Monikës, por jo Ministrisë së Shëndetsisë, e cila edhe pa “ekspertët” kurajozë të SHQUP-it, ja ka dalë, dhe do t’ja dalë të fitojë mbi të keqen. Periudha e gjatë e karantinimit, duket se i ka thelluar edhe më tej “gjenet” negative tek ish-opozita e dikurshme, dhe natyrisht postcoronavirusi, do të konfigurojë para shqiptarëve, një tjetër PD, edhe më të rrudhur, më të trembur dhe më të larguar, nga realiteti më i ri, me të cilin do të na duhet të jetojmë. Veç sindromave të zakonshme, të një periudhe normale, paqartësia e mendimeve dhe veprimeve tek partia e SHQUP-istëve, pritet të jetë
një tjetër e metë (pasojë pandemie) prej të cilës as Doktori dhe as Lulzimi, nuk do të jenë në gjendje ta shpëtojnë Partinë e tyre Demokratike. Ndoshta pas rehatimit, zgjerimit dhe largimit të COVID-19, grupi i “ekspertëve” do të jetë një tepricë e panevojshme, e cila do të flaket nga partia, si një e keqe e domosdoshme , të cilën Lulzimi dhe Doktori u munduan ta përdorin në funksion të “pushtetit”, ëndrrës së keqe që u prish vazhdimisht gjumin e natës.