Nga Artur Ajazi – Kush ka zbatuar ligjin, kush ka qenë në mbrojtje të ligjit, kush ka denoncuar shkelet e vërteta ligjore, është shpallur gjithmonë i paligjshëm dhe “diktator” në Shqipëri. Kush ka luftuar me kokëfortësi për ta zbatuar ligjin, për tu njehsuar edhe ne si vendet e tjera në Europë, gjithmonë është shpallur “kriminel, i poshtër, diktator, komunist”. Por le të kthehemi pas në vite…Pas vitit 1992, kur në pushtet erdhi partia e ish-opozitaristëve të sotëm, në politikën e brishtë shqiptare zbatimi i ligjit, u deklarua si “mëndësi diktatoriale”, kurse ata që tentuan ta zbatonin ligjin u deklaruan dhe u shpallën “armiq të demokracisë”. Shkelja e ligjit me dy këmbët, nisi nga kioskëzimi i vendit, nga mbushja e Tiranës dhe qyteteve tona, me lokale metalike dhe lloj-lloj lokalesh me tulla dhe qerpiçi, duke i dhënë kryeqytetit të vendit dhe qyteteve tona, një fizionomi mesjetare, dhe “kapitalizmit” një fytyrë edhe më egërsuese e injoruese. Natyrisht mes zallamahisë, do të dilte dikush që do të rikthente frymëmarrjen e Tiranës, që do të rrafshonte kioskat zhulanjose, dhe objektet 2-3 dhe 4 katëshe, të cilat kishin bllokuar investimet, zhvillimin dhe europianizimin e saj, dhe krejt qyteteve tona.
Një erë e re, nisi të frynte kur Edi Rama, nisi luftën me barbarët dhe përfituesit e demokracisë, me “pionierët” e kapitalizmit që mbanin shtërnguar fort teserën dhe logon e partisë, kioskat ku çdo gjë bëhej, veç ekonomi tregu jo. Shkelja e ligjit, u kthye në normë. Ishte Edi Rama që zbatoi ligjin, por u shpall “i korruptuar, diktator, bllokmen”, u hetua, u gjykua, madje u mblodh edhe një goxha komision parlamentar, që u mbyll me turp për partinë dhe kryetarin e saj. I vetëm, në krye të bashkisë së Tiranës, Edi Rama i riktheu fytyrën dhe erëzin kryeqytetit, jo duke sulmuar dhe fyer, por duke zbatuar ligjin, duke menduar dhe zbatuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e kryeqendrës së Shqipërisë.Por ja q ë, partia e ish-opozitaristëve erdhi sërish në pushtet në 2005, duke u rikthyer në avazin e vjetër edhe për 8 vite të tjera, duke e thelluar përdhosjen e ligjit, duke mbledhur mes Tiranës sërish kioskat, lokalet pa leje dhe banesat e paligjshme. Duke u premtuar hallexhinjve të cilëve u mori votat se “sa të jemi ne, hani, pini, fitoni dhe këndoni”. Por pas 8 vitesh pushtet absolut, partia e ish-opozitaristëve, iku duke u mundur 1 milion me zero. Shqipëria, Tirana dhe qytetet e vendit, nisën të marrin sërish frymë,
shpresa dhe besimi u ngjallën, pasi investimet mbuluan cep më cep vendin. Ligji nisi të flakë në kanale, objekte 4-5 dhe 10 katëshe, zbatimi i ligjit nisi të rrafshojë “prona” dhe pasuri majtas dhe djathas, dhe sërish Edi Rama u shpall “diktator, bllokmen, antishqiptar, i korruptuar”. Sulmet vinin nga oborri i SHQUP-it, vinin nga ata që ligjin as e njohin, dhe as e kanë zbatuar ndonjëherë. Vinin nga ata që janë tallur me ligjin për 30 vjet, sulmet vinin nga ata që duke shkelur ligjin mbushën dhomat me euro dhe dollarë, vinin nga ata që erdhën në Tiranë dikur me xhaketa borxh, dhe u bënë “profesorë, doktorë”, ministra, rektorë, deputetë, dhe padyshim milionerë.Por Edi Rama, nuk u tërhoq, dhe as ka ndërmend të tërhiqet, pasi një fjalë e urtë thotë “pemës me kokrra, i gjuhet me gurë”. Kush zbaton ligjin në Shqipëri, gjithmonë shpallet nga pakica e pakicës “armik, proserb, diktator, i korruptuar, mafioz”. Një refren i vjetër, që vjen nga zyrat qëndrore të një partie ekstremisht të majtë, që shkeljen e ligjit e quan “burrëri” kurse shkelësin e ligjit e quan “qëndrestar dhe viktimë e diktaturës komuniste”.