Ministri i Turizmit, Blendi Klosi po vazhdon vizitat në qytetet bregdetare të Shqipërisë për të zbuluar planin e menaxhimit të vijës bregdetare, që do t’i mundësojë Shqipërisë hapjen graduale të turizmit nën masat e reja. Kësaj radhe i ndalur në Vlorë ministri ka shpjeguar se vendimi i parë i njoftuar është shtyrja e sezonit deri në datën 15 nëntor për t’i mundësuar bizneseve të rikuperojnë kohën e humbur nga pandemia e COVID-19.
Në bazë të rregullave të reja, të gjitha restorantet dhe hotelet do të duhet që të aplikojnë nga 1 qershori në e-Albania për të marrë licencë. Ministri paralajmëroi se nëse do të konstatohet shkelje e protokolli shëndetësor do të ketë gjobë dhe pezullim të licencës.
“Në e-Albania aplikimet nisin nga 1 qershori deri në 15 qershor, në mënyrë që më 1 korrik gjithçka të jetë gati. Aplikimi në e-Albania është shumë i thjeshtë, aplikohet dhe nga telefoni. Vendos numrin e NIPTIT, që do të dëshmojë që posedon një hotel, vetë deklarimin e kushteve të higjienës”, u shpreh ministri më tej.
Klosi bëri gjithashtu me dije se raporti për hapësirën e plazhit do të jetë 80% publik dhe 20% privat, ndërsa prioritet për të marrë stacion plazhi do të kenë hotelet dhe restorantet.
Ministri Klosi duke marrë shembull Kavajën, tregoi hartën me ndarjet, teksa zona e ngjyrosura me të verdhë do të jenë për biznesin, zona jeshile për qytetarët. Të parët në përzgjedhje do të jenë hotelet e vijës së parë, vetëm për sipërfaqen përpara ballore. Pas hoteleve të vijës së parë, do u kërkohet të tjerëve të aplikojnë që ndodhen në vijën e dytë.
Më pas do të jetë mundësia e restoranteve për të aplikuar për zonën e caktuar si të verdhë. Brenda kësaj hapësire të verdhë për biznesin, 20% do të jetë e lirë për qytetarët. Por cfarë do të ndodhë në një zonë si Gjiri i Lalzit që nuk ka hotele si në zonën e Shkëmbit të Kavajës për shembull? Klosi sqaroi se në këtë rast, ndarja e parcelës në vijën bregdetare do të bëhet duke u lënë të drejtën për të zgjedhur restoranteve me mbi 20 tavolina.