Nga Alfred Peza
Kur Rudina Hajdari shpërtheu pas një takimi në Këshillin Politik, kundër Lulzim Bashës për sistemin zgjedhor, shumëkush nga opozita jashtëparlamentare nënqeshi. E vunë buzën në gaz, për pasionin dhe nervin politik të një deputeteje të re, që për ta dhe mjedisin shqiptar duket naive. Sepse nuk është aq e djallëzuar sa ata, që kanë kërkuar të njëjtën gjë deri dje publikisht, pa e dashur aspak sot praktikisht.
“Nuk e kuptoj pse Partia Demokratike nuk e përqafon këtë ide të ndryshimit të sistemit. Erdha për të gjetur një formulë kompromisi, ta pranonin të gjitha palët. Propozova një formulë të mbështetur, edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga SHBA që e hap listën pjesërisht. Edhe këtë ma hodhën poshtë. Nuk e kuptoj Bashën, pse e do këtë sistem…”- tha ajo.
Përmes ambasadores Yuri Kim, SHBA ka propozuar një sistem të ri zgjedhor me lista të hapura, i quajtur ndryshe sistemi danez. I cili njihet nga ekspertët si “D’Hondt” dhe përbëhet nga dy lista. E para është lista e hapur, ku mund të votohet kandidati i preferuar për deputet. Tek lista e dytë e mbullur kombëtare, votohet partia që dëshiron zgjedhësi.
Ky ose një variant i thjeshtëzuar i këtij sistemi, është hedhur në tyrezën e reformës zgjedhore nga deputetja Hajdari. Por aty, as përfaqësuesi i PD dhe as i LSI, nuk e kanë mbështetur. Duke treguar se opozita jashtëparlamentare, nuk është e interesuar për ndryshimin, por për ruajtjen e sistemit aktual.
Basha dhe Kryemadhi deri dje, për shkak të presionit të partive të vogla aleate, deklaronin se çështjen e ndryshimit të sistemit e kishin parësore. Sot, bëjnë memecin. Çka tregon se kanë bërë një lojë politike, duke qenë “de facto” më të interesuarit, për mos e ndryshuar atë. Ndërsa kryetarët e partive të vogla të “Opozitës së Bashkuar”, me sa duket e kanë siguruar sërisht mandatin personal, përmes listës së PD.
Në të njëjtën linjë me ta, duket se është edhe Ilir Meta. Në një prononcim të fundit ai i drejtohet Petrit Vasilit dhe të tjerëve në tryezën e reformës, që “të mos kenë frikë nga vota e lirë dhe e barabartë e qytetarëve të vendit dhe tu japin mundësi që të shprehenm jo vetëm për partitë, por edhe për deputetët”. E në vend që ta thotë qartë e prerë se është për ndryshimin e sistemit zgjedhor, e mbyll postimin e tij me fjalët:
“Dhe për të dhënë shembullin i pari ju ftoj të vendosni edhe zgjedhjen e Presidentit nga populli, që në këtë vend Presidenti të mos këtë më detyrime ndaj asnjë partie, por vetëm ndaj Kushtetutës, qytetarëve dhe Republikës.” Duke e ditur shumë mirë, që kjo çështje nuk është fare në axhendën e asaj tyreze, bën sikur po digjet nga kjo dëshirë. Duke dashur që të krijojë idenë se, nëse votohet nga populli, do e fitonte një mandat të dytë presidencial.
Nëse Ilir Meta do kishte aq vota sa të rizgjidhej në krye të shtetit, nuk do mendohej kaq shumë për të krijuar partinë e tij të re, sepse do i bënte më shumë punë të fitonte zgjedhjet e të bëhej kryeministër. Por, edhe ai si edhe Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, thjeshtë janë të interesuar për ruajtjen e sistemit aktual. E bashkë me të, edhe të statusquo-së. Sepse ky sistem i garanton të treve, ruajtjen e tripolaritetit politik në skenën shqiptare, duke mos lejuar forca të reja politike që ti futen në pjesë, e ti konkurojnë.
Sistemi aktual zgjedhor i garanton Lulzim Bashës, ruajtjen e kontrollit të plotë mbi PD, përmes listës së deputetëve. Çka do të thotë, se më shumë se për të mundur Edi Ramën dhe PS e për të fituar zgjedhjet, ai është i interesuar për të mbajtur nën kontroll opozitën.
Ilir Meta e Monika Kryemadhi, janë të interesuar për tu rikthyer në pozitat e “kingmaker”-it të skenës politike. Ose e thënë shqip, të atyre që bëjnë diferencën dhe përcaktojnë mazhorancat e ardhshme qeverisëse të vendit. Pozitë në të cilën kanë qenë nga 2009-2017 dhe e humbën. Edhe nëse nuk e arrijnë sërisht në 2021, duket se janë të interesuar, që të ruajnë pozitën aktuale, për të mos lejuar ndonjë forcë të re politike që ti rivalizojë.
Për ndryshimin e sistemit duhet konsensues mes të gjitha palëve në tryezën e Këshillit Politik, ndryshimi i Kushtetutës dhe 2/3 e votave të Parlamentit. Të cilat PS, e vetme, nuk i ka. Përderisa të gjithë liderët e opozitës, janë të kënaqur me ruajtjen e pozitave të tyre aktuale, përse të jetë e shqetësuar mazhoranca!