Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheq me qeverinë e re që pritet të votohet këto ditë. E dalë e dyta nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, LDK-ja në krye me Isa Mustafën e ka fituar në Gjykatë Kushtetuese luftën për mandatarin, derisa, Avdullah Hoti i kësaj partie pritet që të zyrtarizohet si shef ekzekutivi. Megjithatë, seanca do të thirret pasi që të publikohet i plotë aktgjykimi. Në Selinë Qendrore të LDK-së, në Prishtinë, një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e dekretit të mandatarit, u mblodhën fytyrat kyçe të kësaj partie. Të thirrur nga Isa Mustafa, në LDK u diskutua lidhur me vendimin që i jep të drejtë kësaj partie nominimin e kandidatit për kryeministër. Para nisjes së takimit, shefi i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se votimi i qeverisë së re mund të thirret nesër ose të hënën. Nuk e la pa e cuar një mesazh as për shefin e qeverisë në detyrë, Albin Kurtin, me të cilin bashkëpunimi në koalicion ju zgjati pak më shumë se 50 ditë. Mustafa tha se nuk besojnë që do të hasin në rezistencë për të liruar zyrat e qeverisë, e sipas tij, një gjë e tillë ndodh vetëm në vendet totalitare të Afrikës.
“Mbledhje të kryesisë nuk kemi, ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së Kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e Grupit parlamentar dhe me kandidatin tonë për kryeministër se kur do thirret mbledhja e Kuvendit por edhe me partneret tanë, AAK, Nismën dhe partnerët tjerë… tani ekziston një mundësi që një seancë të mbahet nesër, ekziston edhe mundësia që të mbahet të hënën”, ka thënë Mustafa. Me të dalë nga takimi ku pjesë mori i mandatuari për kryeministër, Avdullah Hoti e shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës e dhanë edhe një deklaratë për media. Kësaj radhe, Gashi ndryshe nga Mustafa tha se kërkesën për seancë për votimin e Qeverisë do ta bëjnë pasi që të publikohet Aktgjykimi i plotë nga Kushtetuesja për mandatarin.
Kryedeputeti i LDK-së, tha se ka pasur edhe një takim konsultativ me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanit, që siç thotë ai do të respektojë vendimin e Gjykatës. LDK-ja ende nuk ka caktuar emrat e ministrave, ani pse që nga mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti është raportuar se disa prej ministrave aktual ka gjasë të mos jenë në qeverinë e re. Disa dikastere që LDK-ja kishte në qeverinë Kurti, me marrëveshjet e reja ju takojnë partive tjera, shkruan express. Nuk dihet se kur nga Kushtetuesja do të bëjnë publik aktgjykimin e plotë. Në njoftimin që është bërë mbrëmë nga ky institucion, kanë thënë se një gjë e tillë do të ndodhë ditëve në vijim. Përveç LDK-së, vendimin e Gjykatës e kanë përshëndetur edhe partitë e tjera. Nga AKR-ja megjithatë thonë se nuk do të jenë pjesë e qeverisë Hoti. Pa u deklaruar për këtë temë deri më tani ka mbetur kryeparlamentarja, Vjosa Osmani. Nënkryetarja e LDK-së mund të mbetet pa pozitë në rast se Vetëvendosja në seancën ku votohet Hoti për kryeministër, propozon dikë tjetër në krye të Kuvendit.